Për herë të parë Sali Berisha ka lënë një shteg hapur se është gati të ndryshojë kushtetutën për ti lejuar prokurorët e Spak-ut të garojnë për një mandat të dytë.

Një ditë pasi zëvendësndihmës sekretari amerikan i shtetit kërkoi në Tiranë kërkoi ndryshimin e kushtetutës për SPAK-un, kryetari i PD Berisha deklaroi se nuk është kundër idesë që një prokuror të garojë sërish.

“Ndihmës zv/sekretari i shtetit u shpreh për të kandiduar, por jo atë që thotë Dumani, të ma zgjasin mandatin kushtetues. Është tjetër zgjatja e mandatit. Dumani kërkon që ti bëhet për 18 vite, ajo nuk ndodh, nuk mund të bëhet kurrë. Rigara, rigarimi nëqoftëse ai zbaton ligjin nuk ka asnjë arsye të dalë nga sistemi”, – tha Berisha.

Por Berisha ka vendosur disa kushte për një proces të tillë, që fillon sipas tij me dënimin e disa prej prokurorëve aktualë të Spakut.

Një proces me kushte, do të bëhej me kushte që të dënoheshin të gjithë ata që kanë fjetur mbi dosjet e krimit dhe kanë bashkëpunuar me kriminelët. Po, në këtë rast plotësisht. Nuk kam atë koncept unë që, ai që ka qëndruar i ndershëm, nuk është korruptuar, ka qenë i guximshëm të mos qëndrojë në detyrën e tij. Të mos ketë të drejtë të rigarojë”, shtoi kreu i PD-së.

Kryetari i PD Berisha theksoi se nuk tërhiqet nga beteja kundër Altin Dumanit, drejtuesit aktual të Spak-ut, i cili sipas tij nuk mund të garojë për një mandat tjetër në SPAK.

“Por ata që unë kam emrat e tyre, me në krye Dumanin, ata meritojnë vetëm burgun dhe jo mandatin e dytë apo të tretë e me radhë”, tha ai.

Berisha përsëriti akuzat se procesi i vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve është një proces i korruptuar. Ai citoi një vendim të këshillit konsultativ të gjyqtarëve europianë, një strukturë pranë këshillit të Europës, në të cilin theksohet se vetingu nuk duhet të përdoret për të zëvendësuar masat administrative dhe as për të luftuar korrupsionin.

“Këshilli Konsultativ i Gjyqtarëve Evropiane rrëzon në mënyrë përfundimtare vetingun në Shqipëri. Këshilli Konsultativ i Gjyqtarëve Evropiane pranon se vetingu mund të jetë i lejueshëm si një procedurë e jashtëzakonshme e përdorur vetëm një herë në tranzicionin nga diktatura në një qeveri demokratike të shtetit të së drejtës”, deklaroi Berisha.

Sipas Berishës procesi i Vettingut u përdor për të lënë brenda sistemit të drejtësisë vetëm gjyqtarët e prokurorët që dëshironte Partia Socialiste.