Kreu i PD-së, Sali Berisha ka mbajtur fjalimin e tij tashmë të përnatshëm mbrëmjen e sotme para tubimit qytetar poshtë banesës së tij.

PJESË NGA FJALIMI I BERISHËS:

Të dashur qytetarë dhe qytetarë të Tiranës dhe Shqipërisë, qëndrestare dhe qëndrestarë, misionarë të vërtetë të shpresës dhe të ardhmes së Shqipërisë. Nderimin tim më të madh për ju, për oratorët e mençur, fjalëzjarrtë që përcjellin nga kjo platformë dritën e të vërtetës në të katër anët e Shqipërisë.

Të dashur miq, si person që më dhatë mundësinë, besimin dhe privilegjin që të drejtoj së bashku me të tjerë betejën që rrëzoi komunizmin, si presidenti i parë i Shqipërisë pluraliste, kryeministri i qeverisë që anëtarësoi Shqipërinë në NATO dhe liberalizoi vizat për shqiptarët, që realizoi projektet e shekullit si Rruga e Kombit, TAP dhe Kaskada e Devollit, dyfishoi rrogat dhe pensionet, mund t’u them se kam nxjerrë një mësim kyç për demokracinë.

Në ditët që jetojmë, ky mësim është më i rëndësishëm se kurrë. Prandaj dhe këtë mësim unë dua ta ndaj me ju sepse qëndron si mësimi më thelbësor i jetës sime politike për të garantuar demokracinë për ne dhe brezat që do vijnjë pas nesh.

Ky mësim është: demokracia nuk dhurohet, demokracia fitohet.
Demokracia grabitet dhe zhduket në rast se ajo nuk mbrohet.
Nuk gjen në botë një rast kur demokracia t’u jetë dhuruar qytetarëve.
Nuk ua dhuroi askush demokracinë baballarëve themelues të SHBA. Atë e fituan vetë.
Nuk ua dhuroi askush demokracinë shqiptarëve në vitin 1991. Shqiptarët e fituan vetë.
Nuk ekziston asnjë komb në botë ku demokracia të jetë servirur si dhuratë në pjatë argjendi.
Demokracia fitohet dhe vetëm fitohet. Demokracia fitohet me betejë, me guxim, me sakrifica, me vetëmohim, me lot, me djersë dhe ngadhënjim.