Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, kryedemokrati Sali Berisha ka dënuar sharjet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve dhe deputetëve në mbledhjen e zhvilluar mbrëmë të Kryesisë së PD-së së Bashës.
Kryedemokrati, Sali Berisha, i quan tensionet që kanë shoqëruar mbledhjen e kryesisë, skenar të Edi Ramës.
“Para se ta mbyll dënoj me forcën më të madhe, gangsterët që kanë kërcënuar gazetarët, të cilët kanë ndjekur gjithë natën një takim, ku ka patur deputetë dhe deputete. Në vend që të falënderohen për sakrificën e tyre, gazetarët janë përballur me sharje, me kërcënime rrugeçërish, për fajin e vetëm se po bënin me sakrifica të vërteta, detyrën e tyre. Nuk jam unë që u sugjeroj atyre se cilin lajm duhet të ndjekin apo jo, por ata në asnjë rrethanë nuk mund të fyheshin apo të kërcënoheshin. Ata që mendojnë se do mbyllin problemet duke fyer dhe kërcënuar gazetarët, janë gangsterë, janë rrugeçërish, nuk kanë asgjë të përbashkët me individë të civilizuar. Po kështu dënoj fyerjet dhe kërcënimet që u janë bërë deputetëve të Kuvendit, akte këto të një politike dhune, të turpshme që ka në origjinë skenarët e Edi Ramës“, tha Berisha.
Mbrëmjen e djeshme, mbështetësit e Lulzim Bashës dhe krerët e degëve jo pak herë janë futur në mbledhjen e Kryesisë, duke ushtruar presion, madje edhe duke kërcënuar deputetët që mbështetën platformën e Gazmend Bardhit që shihte si emergjente bashkimin e demokratëve dhe nisjen e zgjedhjeve nga baza, duke mos e konsideruar emergjente zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë.