TIRANE, 16 prill 2013 – Kryeministri Berisha dënon me forcë aktet e terrorit çnjerëzor e të shëmtuar të shpërthimit të dy bombave në Boston të Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjatë kohës së zhvillimit të maratonës së Bostonit, të cilat shkaktuan vdekjen tragjike të disa qytetarëve të pafajshëm dhe plagosjen e qindra të tjerëve. 

Zyra e Kryeministrisë bën me dije se Berisha i shpreh familjeve të viktimave, Presidentit të SHBA Barack Obama, dhe kombit amerikan mik të madh e të çmuar të shqiptarëve, ngushëllimet më të ndjera për humbjen tragjike të jetëve të pafajshme njerëzore si dhe urimet më të sinqerta për shërimin e plotë të të plagosurve si pasojë e këtij akti të shëmtuar. 

Kryeministri Berisha shpreh mbështetjen e plotë ndaj agjencive të rendit e sigurisë Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe bindjen e tij të thellë se autorët e këtij krimi çnjerëzor dhe të shëmtuar do të vihen së shpejti përpara drejtësisë. 

/m.b. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/