Mbrëmjen e sotme ish-kryeministri Sali Berisha ka publikuar në rrjetin social Facebook, denoncimin e qytetarit dixhital, sipas të cilit djegia e plehrave në Porto Romano vazhdon, gjë të cilën e shoqëron me një video të shkurtër.
Por duke dashur të drejtojë gishtin për "gjendjen kriminale të mjedisit" ndaj kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako, të cilin jo pak herë e ka përmendur në denoncimet e tij, Berisha bën një gafë, pasi nuk kontrollon saktësinë e mesazhit.
Qytetari dixhital thekson në mesazh se urdhri i Ministrit të ri të Mbrojtjes është zbatuar vetëm dy ditët e para, për të ndaluar djegien e mbeturinave.
Dhe duke iu referuar pikërisht qytetarit, Berisha ngre gishtin jo vetëm ndaj "famozit Gjush por dhe ndrikull Xhaçkës", siç i quan ai në tekst.
Por për saktësinë e opinionit publik, pak ditë më parë, u emërua Ministri i ri i Brendshëm Sandër Lleshaj dhe ishte pikërisht ky i fundit që dha urdhër për ndërprerjen e djegies së mbeturinave në qiell të hapur. Ministria e Mbrojtjes, e drejtuar nga Olta Xhaçka, nuk ka lidhje në këtë mes.
Kujtojmë se Berisha edhe pak kohë më parë bëri gafë duke ia atribuuar një video që pasqyronte masivet me mbeturina në Republikën Domenikane, fushës së plehrave në Durrës.
Edhe për një video tjetër, që tregonte smogun e krijuar në Sukthin e ri nga djegia e mbeturinave, bashkia e Durrësit u mbrojt duke thënë se pamjet filmike ishin nga një vend afrkan, por gjithsesi banorët e asaj zone, vetëm 2 ditë më vonë, realizuan një protestë për ndotjen alarmante që po u shkaktonte sëmundje dhe vdekje.
Statusi i plotë i Berishës:
Gjendje kriminale e mjedisit ne Durres!
Qytetari dixhital denoncon famozin Gjush dhe ndrikull Xhaçken qe tallen me jeten e njerezve.
Lexoni mesazhin dhe shikoni video e tij. sb
Pershendetje doktor Berisha uroj te jesh mire , Gjushi Sh.P.K vazhdon dhe infekton studentet ne spitall ne smog dhe helm se bashku me Ministrin e Ri te mbrojtjes qe jep urdhra fals dhe nuk zbatohen vetem 2 ditet e para te urdhrit. Te pershendes dhe uroj te jesh mire me shendet, repskete dhe nderime per ty nga student I deges Politike Ekonomike! Anonim tlutem





