Në GJKKO ka mbërritur kërkesa e ish-kryeministrit Sali Berisha, për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, në lidhje me çështjen ndaj tij, sa i takon privatizimit të ish-kompleksit Partizani.

Mësohet se kërkesa i ka kaluar për shqyrtim gjyqtares Flora Hajredinaj. Avokatët e Berishës u shprehën se kanë kallëzuar në SPAK gjyqtaren për “shpërdorim detyre”, pasi sipas tyre, e ka nxjerrë masën e sigurisë në kundërshtim me ligjin.

Njoftim

Në kryesekretarine e GJKKO-së, ditën e sotme, datë 26.10.2023, ora 09:45, është paraqitur kërkesa e kërkuesit Sali Berisha, me objekt: “Kërkohet përjashtimi i gjyqtares Irena Gjoka”, nga gjykimi i kërkesës penale të paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, me objekt marrjen në pyetje të shtetasit nën hetim Sali Berisha, me bazë ligjore nenet 17, 18, 19, 21, 22, 23 të Kodit të Procedurës Penale. Duke qenë se gatishmëria për javën 23.10.2023-29.10.2023, referuar urdhërit të gatishmërisë të zv.Kryetares së gjykatës, i takon gjyqtares Irena Gjoka, kjo kërkesë i ka kaluar për shqyrtim gjyqtares pasardhëse të gatishmërisë, Flora Hajredinaj.