DIVJAKE, 28 shkurt 2013 – Kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar pasditen e sotme, një bashkëbisedim me banorët dhe fermerët e bashkisë së Divjakës. Në fjalën e tij, kryeministri u shpreh se në këto vite qeveria ka zgjidhur problemet e fermerëve, ndërsa premtoi se katër vitet e ardhshme do të bëjë gjithçka për një mbështetje të gjithanshme e të fuqishme.
“Për ne problemi i fermerëve, i fermave të tyre janë një çështje kryesore. Nëse investimet nuk na kanë lejuar t’u japim përgjigje e zgjidhje problemeve tuaja, me investimet që kemi bërë dhe projektet besoj se ne kemi faktuar se jemi serioz në përpjekjen tonë për zhvillimin rural të Shqipërisë”, nënvizoi kryeministri.
Gjithashtu kreu i qeverisë u shpreh se gjatë këtyre viteve qeveria ka ndërtuar dhe rindërtuar në këtë rreth, 270 km rrugë dhe prapë ka shumë kilometra të tjerë për t’u ndërtuar e rindërtuar.
“Në këto vite kemi mbështetur me grante e kredi mbi një mijë fermerë të rrethit tuaj. Kemi bërë investime serioze në sistemin ujitës, kemi dyfishuar lidhjet ndërkombëtare rrugore të Shqipërisë. Lidhje këto që kanë qenë jetike për eksportet tuaja, lidhje të cilat kanë bërë që ju të eksportoni më lehtësisht prodhimet tuaja. Deri në datën 23 qershor, qytetarët janë dhe do të jenë kryeministri im”, u shpreh ndër të tjera, kryeministri Berisha gjatë fjalës së tij.