Ministrja Albana Koçiu po jep një konferencë për mediat në lidhje me protestën e mbajtur dje nga opozita, protestë e karakterizuar nga tensione dhe përplasje mes protestuesve të policisë.

Ajo theksoi se të miturit janë përdorur në protestë për të hedhur sende të forta ndaj efektivëve, ndërsa me një gjuhë të ashpër ka bërë me dije se autorët do të dënohen maksimalisht, sipas kritereve ligjore.

Koçiu ka deklaruar se protestat e PD janë braktisur nga qytetarët dhe në to marrin pjesë sipas saj “militantë dhe elementë të paguar për të krijuar idenë e një revolte popullore”. Ajo është treguar edhe më e ashpër kur e ka quajtur kreun e PD një dhunues përsëritës.

“Përpjekje e dështuar për të ardhur në pushtet duke goditur punonjësit e rendit, duke djegur institucionet dhe duke përdorur të mitur për të hedhur molotov e dende të forta mbi punonjësit e policisë, për të mos u ndjekur penalisht autorët e vërtetë.  Është akt i turpshëm dhe i dënueshëm. Keqpërdorimi i të miturve për të kryer vepër penale është akt i dënueshëm. Protestat e PD janë braktisur nga qytetarët duke përfunduar nga një grusht militantësh apo elemente të paguar për të krijuar skenarin e një revolte popullore. E drejta për të protestuar nuk është një e drejtë për të dhunuar, apo tentuar gjymtimin e apo vrasjen e efektivëve të policisë. Ministria e Brendshme nuk do qëndrojë duarkryq, autorët do ndëshkohen, pas të cilave qëndrojnë urdhëruesit e fshehur pas imunitetit, nën drejtimin e Sali Berishës një dhunues përsëritës i sulmeve ndaj institucioneve dhe rendit Kushtetues”, tha ajo.

Deklarata për media e ministres së Punëve të Brendshme, Albana Koçiu:

Përpjekja e dështuar për të ardhur në pushtet duke goditur punonjësit e rendit, duke djegur institucionet, e për më tepër duke përdorur të miturit për të hedhur molotovë apo sende të forta mbi punonjësit e Policisë, që të mos ndiqen penalisht autorët e vërtetë, është një akt i turpshëm dhe i dënueshëm.

Keqpërdorimi i të miturve për të kryer akte dhune është vepër penale, por është gjithashtu një shkelje e rëndë morale. E këtu një rol të posaçëm mund dhe duhet të luajnë institucionet, shoqëria civile dhe vetë familja, për t’i mbrojtur këta ta mitur nga përdorimi dhe instrumentalizimi me qëllime të errëta të politikës kriminale.

Është pikërisht kjo arsyeja, përse protestat e Partisë Demokratike janë braktisur masivisht nga qytetarët. Duke përfunduar tek një grusht militantësh, apo elementë të paguar për të krijuar skenarë imagjinarë të një revolte popullore. Kjo është e papranueshme.

E drejta për të protestuar, nuk është e drejtë për të dhunuar, për të shkatërruar, apo aq më pak, për të tentuar gjymtimin apo vrasjen e efektivëve të Policisë.

Ndaj, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit nuk do të qëndrojnë duarkryq. Autorët e këtyre akteve barbare do të ndëshkohen maksimalisht, sipas ligjit.

U bëj thirrje organeve të drejtësisë, t’i trajtojnë me përgjegjësinë maksimale dhe ligjore këto sulme barbare ndaj uniformës, pas të cilave qëndrojnë padyshim urdhëruesit e fshehur pas imunitetit, nën drejtimin e Sali Berishës; një dhunues përsëritës i sulmeve ndaj institucioneve dhe rendit kushtetues.

Personat përgjegjës, duhet të kuptojnë se nuk kanë asnjë mburojë politike mbi kokën e tyre. Kush tenton të vrasë policin, kush tenton të djegë institucionet, nuk merr as çmimin si terroristi më i mirë, as mirënjohjen e partisë së tij, por shkon në burg dhe merr ndëshkimin e parashikuar nga ligji.

Sot, solidaritet maksimal për të gjithë punonjësit e policisë të plagosur, si dhe për të gjithë kolegët e tyre, që edhe një herë më shumë kryen me profesionalizëm detyrën, duke mos rënë pre e një strategjie të qartë terrori, përmes provokimit të përsëritur dhunës e të gjakderdhjes.

Vetëpërmbajtja e forcave të rendit, në kushtet më ekstreme, është një garanci e jashtëzakonshme për të gjithë qytetarët e ndershëm, që pavarësisht bindjeve të tyre politike, janë të bashkuar në dëshirën për të mos parë dhunë e aq më pak, ripërsëritjen e ngjarjeve të mbrapshta përpara syve të tyre.

Nuk ka asnjë tërheqje përballë akteve kriminale, të një minorance të dhunshme me maska, që fshehin fytyrën, por nuk mbulojnë dot qëllimin e tyre.

Do të jemi përherë në krah të punonjësve me uniformë, gazetarëve dhe njerëzve të medias në krye të detyrës, dhe të gjithë atyre, që e ushtrojnë të drejtën kushtetuese të tubimit, në respekt të ligjit dhe bashkëjetesës në një shoqëri demokratike.