Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha duke folur gjatë një takimi me pensionistët kritikoi ndërtimin e djegësit të Tiranës, duke theksuar se për këtë projekt u shpenzuan 130 milionë euro, të cilat u grabitën dhe nuk sollën asnjë rezultat. Lideri i opozitës gjithashtu theksoi se rritja e pensioneve mund të bëhej me fondet e pensioneve, por për shkak të keqadministrimit ato janë lënë të pandryshuara. Po ashtu Kreydemokrati e quajti luks të shfrenuar blerjen e Kopshtit të Edenit me 5 milionë euro, duke thënë se paratë e taksapaguesve nuk duhet të shpenzoheshin për kënaqësinë e Ramës.

“E dyta, nuk ka dyshim që e mira do ishte që pensionet të rriten duke përdorur fondin e pensioneve. Por kur nuk ka mundësi, pensionet nuk mund t’i lësh kurrë ashtu siç janë, sepse çmimet rriten, ky është ligj në ekonominë e lirë. Çfarë bëjnë këta? Këta grabisin jashtë çdo imagjinate. Unë ftoj sot çdo pensionist të hedhë sytë në Sharrë, ku është djegësi. Djegësi i Tiranës, që kushtoi 130 milionë euro, që kushtoi 812 mijë pensione, nuk ka as nam, as nishan. Imagjinojeni pra. Se thotë nuk kemi pare, por vidhen paret, se pare ka. Djegësi, u dhanë paratë çdo muaj dhe çdo vit dhe nuk shtoi as një tullë.

Dhe për ta mbikëqyrur djegësin, ndërtimin e tij se çdo punim ka një supervizor, paguhet një njësi prej tre vetësh në ministrinë e Ballukut dhe Balluku dhe ata kurrë nuk raportuan se djegësi nuk po ndërtohej. Nuk raportuan se ajo e dinte se paratë shkonin në kontot e Edi Ramës, se përndryshe nuk e merrte kurrë përgjegjësinë ligjore dhe të mos raportonte. Natyrisht në qoftë se i zhdukim me një dorë 130 milionë euro,për pensionistët nuk ngelet. Por ama ato bëjnë 812 mijë pensione. Se thonë ku janë paratë. Si nuk kemi?

Po marr rastin Beketi. E mori dhe e përzuri investitorin italian si armik sepse televizioni i tij nuk i nënshtrohej. Dhe për t’i treguar se unë vendos këtu, e përzuri. Çfarë ndodhi? 110 milionë euro gjoba dhe ua them unë, gjoba e tëra sepse mbajtën qëndrim politik ndaj investitorit. E përzunë për motive politike. Por këto janë mbi 500 mijë pensione. Avion, se thotë ku t’i gjejmë paratë, jo, paratë i ka shteti, por këta i vjedhin paratë, i bëjnë luks. 21 milionë euro në dy vite, 140 rrugë.

Presidenti amerikan kishte 74 rrugë në dy vite. ky 140 rrugë me avion në dispozicion. Kancelari i Austrisë udhëton pa avion në dispozicion, udhëton me avionin tregtar si të gjithë qytetarët. Luksi i shfrenuar, blen Kopshtin i Edenit se është qejfli i madh ky, 5 milionë euro. Urdhëroni sa pensione janë. Nuk ka pasur kurrë një instalacion druri aty. Po nuk mund ta blesh ti atë, nuk janë paratë e tua ato. Nuk futet në asnjë protokoll qeveritar blerja e tij. Nuk është vetura që do udhëtojë kryeministri, por është një instalacion për të kënaqur sytë Edi Rama. Nuk e blen askush, asnjë kryeministër,” tha Berisha.