Lëvizjen e mazhorancës socialiste për të falur gjobat për ndërtimet pa leje në zonat rurale, Sali Berisha e konsideron si “ligjin e blofit”. Sipas tij, ai nen është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese.
“Jo vetëm që nuk mund të kërkohet, por detyrohet shteti, dhe i garantoj ata që i kanë paguar se qeveria e PD do t’i rikthejë ato gjoba. Përderisa gjykata e ka gjetur antikushtetues nenin, qindarkë për qindarkë, kushdo që paguar gjobë mbi atë nen, do marrë gjobën mbrapsht”, tha Berisha.
Më herët, Partia Demokratike propozoi një projektligj që e ka dorëzuar në parlament. Berisha tha se do të kërkohet falja e të gjithë gjobave dhe kamatvonesave që ekzistojnë për energjinë elektrike, për gjitha shtresat në nevojë dhe bizneset e vogla pa përjashtim.
“Kjo përputhet plotësisht me angazhimin tonë që në 100 ditët e para do përcaktohet kuadri ligjor i çmimeve të energjisë elektrike në përputhje me rrogat dhe pensionet. Nuk mund të paguajë kurrë një rrogëulët apo qoftë edhe rrogëmesëm sa paguan rrogëlarti apo ai që merr 5 mijë dhe 10 mijë euro në muaj. Nuk ndodh kjo. Ndaj edhe atij do i garantohet minimumi bazë i energjisë për funksionimin e familjes”, u shpreh Berisha.
Në mbledhjen me grupin parlamentar, Berisha kërkoi që të vijohet beteja për Komisionin Hetimor për Portin e Durrësit pasi është e një rëndësie jashtëzakonisht të madhe.
“Këto vendime për Portin e Durrësit përbëjnë aktin më madhor të korrupsionit ju siguroj jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan dhe Europë”, u shpreh Berisha.