TIRANE– Kryeministri Sali Berisha mori pjesë sot në konferencën me temë "Kultivimi i bimëve aromatike mjekësore". Gjatë fjalës së tij, mbajtur para ekspertëve më të mirë të kësaj fushe në Shqipëri kryeministri se do të financojë këtë sektor në mënyrë që këtyre bimëve t’i rritet vlera.

“Shqipëria është një nga vendet  më të pasura me bime aromatike mjekësore,  diverisiteti, shumëllojshmëria e tyre është më famë botërore, por ka një specifikë; këto bimë rriten në zonat më të varfra të Shqipërisë, që janë zonat verilindore dhe juglindore. Në këtë aspekt përqendrimi ynë në problemin tërësor të bimëve aromatike, duhet konsideruar si një mekanizëm për të luftuar varfërinë. Qeveria do të mbështesë me kredi, duke ulur interesat për përpunimin e bimëve, në mënyre që të rrisim vlerën e tyre në treg”,- tha Berisha.

Nga ana tjetër kryeministri i bëri apel ekspertëve të kësaj fushe që të zbresin në terren, të njohin më nga afër vlerat e këtyre bimëve dhe të përzgjedhin mekanizmat për ta kthyer këtë pasuri natyrore në favor të shtrsave të varfëra.

"Shqipëria është shumë e pasur me këto bimë, ne mund ta shfrytëzojmë këtë. Ekspertët duhet të heqin dorë nga Google, se ai është për amatorë, specialisti duhet të zbres në terren. T’i njohë të gjitha bimët, se po të shikojmë në këtë vështrim, kjo gjë do të ndihmonte në njohjen, përpunimin dhe rritjen e vlerave, ndaj ju garantoj se qeveria është e vendosur për ta spostuar në një nivel më të lartë qëndrimin ndaj kësaj pasurie të madhe natyrore, nga e cila përfitojnë në tërësi familjet e varfra të vendit”,- tha kryeministri.