TIRANE, 17 mars 2013– Kryeministri i vendit, Sali Berisha, në një konferencë për gazetarët, deklaroi ditën e sotme se PD ka tre shtylla kryesore për punësimin e shqiptarëve në 4 vitet që vijnë.
Sipas tij, programi për punësimin, tregu i lirë dhe marrja e statusit të vendit kandidat, janë prioritetet në programin e qeverisjes së ardhshme.
Berisha tha se gjatë 10 viteve që vijnë, PD do t’i japë shqiptarëve një skemë më të mirë të pagesave për punët e tyre, pasi sipas tij, në vitin 2005 ai i gjeti shqiptarët me rroga qesharake.
“Në përpjekjen tonë për punësimit ne kemi shfrytëzuar të gjitha potencialet. 4 vitet që vijnë ne do paraqesim para shqiptarëve, pas bilancit për 4 vitet që shkuan krijimin e vendeve të punës sipas cdo sektori. Projekte gjigande në horizontin e qeverisë. Qeveria do të kontraktojë firmat më serioze për hartimin e projekteve të tjera të mëdha. Për t’ia ofruar ato biznesit ndërkombëtar duke pasur si kriter punësimin e mijërave qytetarëve. Nga nesër dhe në vijim do ju paraqesim shqiptarëve në termat më realiste programin tonë të punësimit në të gjitha fushat. Ne këto premtime, këto projekte dhe zotime i marrim bazuar në arritje reale që kanë bërë të vlerësojnë Shqipërinë një histori të vërtetë suksesi dhe vendi i vetëm ku u ul papunësia’, deklaroi Berisha.
Kryeministri Berisha iu rikthye edhe njëherë çështjes së Referendumit për 3 ligjet që do i hapnin rrugën për BE Shqipërisë. Duke sulmuar opozitën Berisha i dha afat PS-së deri më 23 qershor për të dhënë konsensusin, ose përndryshe shqiptarët do i japin përgjigjen më të mirë.
“Gjer me 23 qershor ne jemi të gatshëm të mbledhim parlamentin vetëm për të votuar ato 3 ligje. Por në rast se pala tjetër me një vullnet të sëmurë, vijon dhe insiston bllokimin e tyre ne në afatin më të parë ligjor do të thërrasim referendumin dhe unë kam bindjen më të thellë se qytetarët shqiptarët do të zhbllokojnë dhe do i japin përgjigje më të mitë procesit të marrjes së statusit të vendit kandidat”, tha Berisha.
Shefi i qeverisë është i treguar i rezervuar sa i takon kandidaturave për deputet të mazhorancës teksa ka akuzuar liderin socialist se po përdor terror në partinë Socialiste.
“Sot, por as dhe socialisti i fundit, më i largët dhe me i afërt, nuk ka parë të mblidhet një forum i PD për të përcaktuar sic është rendi dhe rregulli qoftë dhe një kandidati. Unë nuk hyj tek emrat. Nuk them se kreu i PS apo PD nuk ka peshën e tij në emërimin e kandidaturave. Por përdorimi i kandidaturave për terror partiak nuk është demokratik. Nuk po bëhet lista, por po c’bëhet lista. Unë nuk them se nuk kam fjalën time me peshë për përcaktimin e listave, por nëse unë njërin e marr dhe e shoqëroj dhe them Eureka, kurse te tjerëve u them prisni sa të vijë Asambleja Kombëtare këtë as ati shpirtëror i Edi Ramës nuk e ka bërë ndonjëherë. Ky është terror, mekanizmi i c’bërjes së listës”,- theksoi Berisha.