Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, gjatë një konference për shtyp ditën e sotme, ka folur në lidhje me deklaratën e tij për kryedemokratin Sali Berisha, për të cilin është shprehur se së shpejti do të shpallet non-grata edhe nga Bashkimi Evropian.

Balla u shpreh se është depozituar në Parlamentin Evropian një iniciativë e cila kërkon që personat e shpallur non-grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të kenë të njëjtin “fat” edhe në vendet e Bashkimit Evropian.

Ai tha se sipas vlerësimit të tij një gjë e tillë nuk do të vonojë shume, pasi është intuitive që një gjë e tillë të ndodhë së shpejti.

“Unë mendoj se për çështje të karakterit të luftës kundër korrupsionit, minimit të demokracisë, SHBA-ja dhe BE-ja koordinohen mes tyre. Ka një iniciativë të depozituar në Parlamentin Evropian ku kërkohet që personat të cilët janë shpallur non-grata nga SHBA-ja apo të përfshirë në instrumenta të tjerë që SHBA-ja po implementon për të identifikuar këdo që punon në dëm të demokracisë, natyrshëm një gjë e tillë do të ndodhë edhe në BE. Sipas vlerësimit tim, një gjë e tillë nuk do të vonojë e do të ndodhë shumë shpejt. Këta persona duhet të kenë të njëjtën qasje nga Parlamenti Evropian pastaj edhe nga vendet e BE-së. Është intuitive që një gjë e tillë të ndodhë”, tha Balla.

Kryedemokrati Sali Berisha u shpall non-grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 19 maj 2021 për akte korruptive që cenojnë demokracinë në Shqipëri ndërsa me 22 korrik Berisha u shpall non-grata edhe nga Britania e Madhe për lidhje me grupe të krimit të organizuar.