Tiranë, 5 shtator 2014 –  Përpara sfidës me Portugalinë kombëtarja shqiptare është pushtuar nga dozat e larta të optimizmit, me trajnerin dhe futbollistët që deklarojnë nga gadishulli iberik nuk do të dalin pa pikë. Në fillim të javës ishte De Biasi që vendoste këtë objektiv dhe më pas futbollistët me radhë në intervistat e tyre duke deklaruar se do kërkojnë golin.

Por pavarësisht objektivit, në parim punën më të madhe pritet ta ketë mbrojtja dhe në veçanti portieri Etrit Berisha. Në një intervistë ekskluzive për Sport News, numri një i portës kuqezi nuk ul optimizmin, duke theksuar se skuadra ka nisur përgatitjet që në momentin e hedhjes së shortit të Euro 2016.

“Kemi nisur përgatitjet që në momentin e hedhjes së shortit. Përgatitjet po shkojnë mirë dhe jo vetëm unë por i gjithë ekipi do të japë maksimumin. Nga forma e treguar shohim shenja pozitive dhe shpresojmë për një ndeshje të mirë” thote Berisha.

Tashmë opinioni sportiv por mbi të gjitha tifozët presin rezultate, madje duke guxuar të kërkojnë edhe kualifikimin për në europianin e Francës. Të njëjtin objektiv ka vendosur edhe skuadra, që sipas 25-vjeçarit Berisha përgjigjen duhet ta japë në fushën e lojës.

“Kemi shanse nisur edhe nga shorti pasi dy skuadra kualifikohen direkt, ndërsa kualifikohet edhe e treta më e mirë. Kemi kualitete por mbi të gjitha luajmë si skuadër. Kemi shumë dëshirë për të arritur diçka historike dhe mendoj se dy ndeshjet e para do të tregojnë se çfarë mund të arrijmë”.

Ndaj Portugalisë skuadra shkon me moralin e lartë, nisur jo vetëm nga forma e treguar në seancat stërvitore por edhe nga paraqitja e mirë në miqësoren me modestët e Racing Villabes.

“Kemi dhe 2 ditë kohë në të cilat po studiojmë kundërshtarin por edhe lojën tonë. Luajtëm një miqësore ndaj një skuadre inferiore por aty u panë sinjale pozitive. Kemi mundësi reale të bëjmë mirë dhe të fitojmë”.

Pavarësisht se në ambientin kuqezi të gjithë janë në një mendje përsa i takon objektivit, futbollistët duken të ndarë në opinionin e tyre nëse mungesa e Ronaldos ndihmon Shqipërinë në arritjen e objektivit. Portieri Berisha thekson se luhet ndaj Portugalisë dhe jo ndaj Ronaldos.

“Ronaldo është më i miri në botë, dhe sigurisht mungesa e tij na favorizon. Por Portugalia ka futbollistë të mirë dhe të rinj të talentuar. Për ne është njësoj, edhe nëse luan Ronaldo ose jo".

Në sfidën e fundit të luajtur në Portugali, kombëtarja shqiptare mori një barazim pa gola falë paraqitjes heroike të ish portierit Arjan Beqaj. Numri një i portës së Lazios thur elozhe për atë paraqitje të ish gardianit kuqezi dhe premton se së bashku me ekipin do mundohen të japin më të mirën për të arritur fitoren.

“E kam parë atë ndeshje, ashtu si të gjitha sfidat e kombëtares Shqiptare. Beqaj ka bërë një paraqitje spektakolare. Do mundohem që së bashku me ekipin të paraqitemi sa më mirë dhe të dalim me fitore”.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/