Kreu i PD, Sali Berisha premtoi se kur të vijë në pushtet do të ulë çmimin e energjisë jo vetëm për qytetarët, por edhe për bizneset. Në fjalën e tij para grupit të Punës për Tiranën, ish-kryeministri u shpreh se Shqipëria është vend me suficit në prodhimin e energjisë. Sipas tij vjet janë prodhuar 9 miliardë kilovat orë, ndërsa sivjet mund të prodhohen 10.

Berisha foli për paketën e emergjencës, duke thënë se do t’ia paraqesin çdo qytetari.

“Vendosim si fillim minimumin jetik 200 euro. Vendosim si fillim rrogën minimale 500 euro. Rrogën mesatare 1200 euro. Pensionet do llogariten mbi 200 eurot”, – u shpreh ish kryeministri.

“Imagjinoni ju sa e padrejtë është kjo shoqëri. Ia shet pensionistit me 150 euro ose 180 euro energjinë elektrike me të njëjtin çmim që e blejmë ne. Nuk mund të ndodhë kështu. Çdo shtet që ka një dimension njerëzor, atij ose ia jep falas, ose ia jep me një çmim qartësisht në proporcionin më të ulët se ai që ka rrogën.

I shitet uji me të njëjtin çmim dhe tarifë. Tani kanë vendosur në disa bashki më të varfrat të dyfishojnë çmimin e ujit. Bizneseve ne do ua ulim çmimin e energjisë elektrike. Po! Shqipëria është vend me suficit në prodhimin e energjisë.vjet janë prodhuar 9 miliardë kilovat orë. Sivjet mund të prodhohen 10.

Strategjia që zgjodhëm ne për Shqipërinë si superfuqi e energjisë së rinovueshme në rajon po funksionon. Sot, mbi 60 përqind e energjisë prodhohet nga HEC-et e reja. Natyrisht duhet të jenë shqiptarët që përfitojnë më shumë nga kjo.

Energjia vidhet. Meqenëse këta vidhnin në mënyrën më të papërmbajtur, ndërkombëtarët ndërhynë për të ngritur bursën. Por pyet Lubia për bursën? Mos e pyet, është e papërmbajtur. Nuk shet në bursë se do vjedhë. Nuk blen në bursë se do vjedhë”, – tha Sali Berisha.