TIRANË-Qeveria do të heqë tatim-fitimin për të gjithë punonjësit të cilët marrin nën 300 mijë lekë rrogë. 

Kryeministri Sali Berisha e bëri të ditur këtë sot në mbledhjen e grupit të Partisë Demokratike duke theksuar se ky vendim i qeverisë nuk është vetëm një 10 për qind rritje rroge, por njëkohësisht edhe një mbështetje e madhe për sipërmarrjen dhe tregun e punës. 

“Ndaj dhe ky vendim synon shpërndarjen më të mirë të të ardhurave, dhe është një përpjekje më e madhe që ato të ardhura të shndërrohen në mirëqënie për qytetarët”, tha Berisha. 

Duke cilësuar se kreu i PS Rama votoi kundër rritjes së pagave dhe rekomandimet e FMN ishin për mos rritje të pagave, Berisha shtoi se qeveria nuk u ndal. 

Madje sipas kryeministrit, rroga mesatare është bërë 570 mijë lekë të vjetra. 

“Kam kënaqësinë t’ju informoj se rroga mesatare nga 240 mijë lekë të vjetra është bërë 570 mijë lekë. Dhe me gjithë respektin e madh që unë kam për FMN, më duhet të them se më ka këshilluar që të mos rriten rrogat dhe të dëgjoja variantin e mosrritjes së rrogave. Por, ne kemi rritur rrogat dhe pensionet dhe kjo do të mbetet politikë konstante”, theksoi Berisha.