Ish-kryeministri Sali Berisha ka sfiduar kreun e SPAK Altin Dumanin, duke e pyetur sot se çfarë e pengon të çojë çështjen e inceneratorëve në Gjykatë.
Berisha ka hedhur akuza të rënda ndaj Prokurorisë së Posaçme teksa tha se “SKAP-i është një institucion kryekëput seksion i Partisë Socialiste”.
Sipas tij, SPAK është mjë mburojë e padepërtueshme e korrupsionit, vjedhjeve monstruoze të qeveritarëve shqiptarë dhe këtë e konfirmuan deklaratat e pak ditëve më parë të Dumanit për dy nga çështjet më tronditëse inceneratorët dhe problemin Rama-McGonigal.
“Jam sot para jush për t’iu deklaruar shqiptarëve se SKAP-i është një institucion kryekëput seksion i Partisë Socialiste. Një mburojë e padepërtueshme e korrupsionit, vjedhjeve monstruoze të qeveritarëve shqiptarë, të organizatës kriminale që kryesohet nga Rama.
Nuk kam pasur asnjë dyshim, ua kam deklaruar shqiptarëve këtë në mënyrat më të përsëritura, natyrisht bazuar në fakte, qëndrime të pakundërshtueshme të këtij institucioni.
Këtë e konfirmoi në mënyrë përfundimtare deklarata e kreut të SKAP-it Altin Dumanit për dy nga çështjet më tronditëse për dy nga çështjet e korrupsionit, inceneratorët dhe problemin e Watergate-it të shekullit të 21-të Rama-McGonigal. Lidhur me problemin e inceneratorëve, tragjikomedia e kësaj afere është e pakufishme. Inceneratori i Tiranës është një kontratë e cila u kushton shqiptarëve 420 mln euro mbi bazën e firmave që janë vendosur në këtë kontratë. Inceneratori i Tiranës u shpall nga Altin Dumani, komisari politik i SKAP-it si një sipërmarrje që nuk i dihen pronarët. Ky incenerator gllabëron çdo ditë si lubi qindra mijëra euro të taksapaguesve shqiptarë nga një grup mafioz i cili ka në krye Edi Ramën, Ëngjëll Agaçin, Erion Veliajn dhe disa emra të tjerë. Dy fjalë do t’i them zotit komisar Dumanit, se pretendimi juaj se nuk dihen pronarët ju akuzon shumë rëndë ju dhe institucionin tuaj. Së pari le të marrim për të vërtetë atë që ju thoni se nuk bllokoni dot fondet se nuk dihen pronarët. A mund t’u thoni pak shqiptarëve çfarë ju pengon ju zotëri të dërgoni në gjykatë aferën, sepse ju paraqitët si pretekst, pretendim se janë arbitrazhet. Çdo arbitrazh është i detyruar të marrë parasysh vendimet e gjykatës së vendit. Në afera të tjera është proceduar në këtë mënyrë, por ajo nuk ishte SKAP, ishte Prokuroria e Krimeve të Rënda. Ju nuk e dërgoni dot në gjykatë sepse jeni nën kontrollin e plotë dhe në mbështetje të plotë të asaj bande që vjedh shqiptarët”, deklaroi Berisha.
Berisha: Do bëjmë gjithçka për hetimin e plotë të inceneratorëve dhe çështjes Rama-McGonigal
Berisha tha sot se Gjykata e SHBA-ve ka faktuar se Edi Rama ka dërguar informuar direkt nga zyra e tij tradhtarit të kombit amerikan McGonigal për të hetuar kundër opozitës në një puç antikushtetues ndaj opozitës.
“Gjykata amerikane ka faktuar se këshilltari privat i Edi Ramës ka dërguar dëshmitarë nga Europa për hetimin kundër opozitës të ndërmarrë nga McGonigal kundrejt pagesës së Edi Ramës. Gjykata amerikane ka faktuar se informacionet shkuan direkt nga zyra e Edi Ramës nëpërmjet Agron Nezës dhe Dorian Duçkës. Si mundet të deklarohet se kjo është një çështje e shkuar?! Kjo deklaratë dëshmon se SKAP-i është një mburojë e aferave të qeverisë dhe jo një institucion akuze. Çështja McGonigal është çështje që tronditi SHBA-të dhe mbarë botën. Janë dy komisione të kongresit amerikan, përveç dy gjykatave që merren me trajtimin e kësaj çështjeje. Kurse institucioni i akuzës në Shqipëri, pavarësisht se qytetarët shqiptarë janë gjobitur nga gjobvënës të shpifur të ekipit Rama-McGonigal, pavarësisht se është bërë një puç antikushtetues ndaj opozitës e quan një çështje të shkuar”, tha ai.
Ai theksoi se PD do bëjë gjithçka për hetimin e plotë të inceneratorëve dhe çështjes Rama-McGonigal.
“Duke denoncuar dhe njëherë SKAP-in si institucioni më të kapur në Shqipëri dhe Europë, garantoj shqiptarët se PD-ja do të bëjë gjithçka për hetimin e plotë të këtyre dy aferave. Falënderoj me shumë mirënjohje mediat të cilat kanë qartësuar çdo aspekt, çdo lidhje të Edi Ramës, Ëngjëll Agaçit, Erion Veliajt me aferën e inceneratorëve.
Falënderoj autoritetet e SHBA-ve të cilat bënë transparente implikimin dhe veprimtarinë e McGonigal në Shqipëri kundër opozitës shqiptar dhe gjobvëniet e tyre ndaj bizneseve në Shqipëri”, u shpreh Berisha.