Presidenti Ilir Meta i pyetur për Artur Meçollarin, të etiketuar si spiun të shërbimeve të huaja nga ish-kryeministri Sali Berisha, u shpreh në emisionin "Studio e hapur" se nga ato që shkruhen në media, më shumë vlerëson një letër të vitit 2010 që Meçollari i dërgonte Adriatik Llallës.
“Për emrat e caktuar unë s’kam asnjë arsye. Unë kërkoj informacione, sqarime nga institucionet përkatëse. Për rastin konkret nuk kam informacione përveç qëndrimeve të lexuara në media. Elementin më pozitiv për personin konkret vlerësoj letrën që kam lexuar dje apo pardje, që ia kishte dërguar zotit Llalla, ku protestonte për mbylljen e çështjes penale të ekipit negociator të vitit 2009, duke dhënë argumente dhe fakte, një pjesë e të cilave ishin interesante që ngarkonin negociatorët. Sipas tij, prokuroria e kishte mbyllur në mënyrë jo të drejtë. Nuk mund të bëj gjykatësin por ka treguar se ka ndjeshmëri, përgjegjshmëri, ndaj interesave të shtetit”,- tha Meta.
Si e komentoni përfshirjen e negociatorit Artur Meçollari?
Nuk mund të jap përgjigje për faktin që unë nuk jam në dijeni nga ana institucionale dhe ne kemi kërkuar informacion dhe në këto kushte unë nuk komentoj.
Pse duhet të vinte në zyrën tuaj një person i tillë?
Ky është një proces dhe do kohën e vet.
Ju jeni President i Republikës dhe keni mundësi për të marre informacione edhe nga shërbimet inteligjente?
Ne kemi dërguar kërkesa tek institucionet dhe nuk mund të them asgjë pa verifikuar.
Ky person thuhet se ka qenë prezentë në takimin me Kotzias. Është normale?
Kanë vlerësuar negociatat teknike.
Cenohet integriteti i tij?
Për faktin se ka qenë në Korçë për negociata kjo është e rëndë, por nuk besoj se ka ndodhur.
Nëse ka qenë për negociata ju thoni se është e rëndë?
Thashë që nuk e besoj se mund të ketë qenë për këtë. /BW





