Deputetët e opozitës kërkojnë të shkelmojnë vendimet e gjykatave dhe të shuajnë ëndrrën e shqiptarëve për integrim në BE. Këto akuza i ka bërë kryeministri Berisha gjatë inaugurimit të shkollës 9-vjeçare "Koçaj" në Baldushk, në vijim të një turi inaugurimesh dhe takimesh me nxënës e mësues në mbarë vendin.
"Kur shihni parlamentin dhe komisionet parlamentare do të konstatoni se në mes të mbledhjes, një grup deputetësh ngrihen dhe ia mbathin dhe ai mbathin pikërisht atëherë, kur duhet të votohen 2-3 ligje që kërkohen me doemos nga Komisionin Europian, për të votuar statusin e vendit kandidat. Në shkëmbim kërkojnë që të shkelmojmë vendimin e gjykatave. Vendimet e gjykatave, sido që të duken, të drejta apo të padrejta, ka vetëm një rrugë: t'i apelosh në gjykata dhe t'i zbatosh. Kanë vetëm një qëllim, të errësojnë ëndrrën tuaj më të bukur e më fisnike të Shqipërisë europiane",- tha Berisha.
Gjatë fjalës së tij kryeministri ka premtuar sërish rritje rrogash për arsimtarët, duke e cilësuar si vullnetin politik të kësaj qeverie. "Ne kemi rritur rrogat e arsimtarëve gjatë këtyre gjashtë viteve. Kryeministri i vendit merrte 9 rroga mujore të arsimtarëve. Sot sa merr mësuesi? Nga rritja e rrogave të mësuesve sot diferenca është 4.5 rroga. Ne kemi vullnet të hekurt ta zvogëlojmë dhe më tej duke rritur rrogat e mësuesve",- vijoi Berisha.
Investimet në arsim sipas kryeministrit, janë ndikuar edhe nga fuqizimi i arsimit privat që ka lehtësuar shpenzimet publike për një përmirësim të vazhdueshëm të standardeve në arsimin publik.