Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas zbardhjes së dokumenteve nga “Gazeta Shqip” të mashtrimit të madh të vitit 2017, ku ministria e Brendshme Italiane akuzonte Sali Berishën dhe Ilir Metën, se kanë aktivizuar Ilir Kullën për të publikuar në Itali, një fakenews që të nxiste rënien e qeverisë së Edi Ramës në Tiranë.
Në një status në twitter Rama duke e quajtur shëmti, shkruan se: Të paguash para të zeza për të përhapur në botë shpifje që sterrosin vendin ku të kanë bërë kryeministër, kryeparlamentar, president! Të blesh pisa të huaj me për ta bërë pis atdheun ku shitesh si patriot i përvëluar.
Gazeta Shqip publikoi një ditë më parë dokumentet origjinale të Ministrisë së Brendshme të Italisë, e cila ka zbardhur të gjithë hetimin e zhvilluar pas një fake newsin që u publikua në Itali në vitin 2017, sipas të cilit në Shqipëri kanë mbërritur 1300 kontejnerë me mbetje toksike për t’u groposur në vendin tonë. Lajm që u shpall edhe në çadrën e ngritur nga PD para Kryeministrisë.
Sipas shkresës që është hartuar nga Drejtoria e Policisë Kriminale të Italisë, tashmë është vërtetuar se gjithçka ishte një sajim që u krye në bashkëpunim të ish-senatorit italian, Sergio de Gregorio dhe mikut të tij shqiptar Ilir Kulla.
Në hetime thuhet se projekti që u zbatua nga Ilir Kulla, bëhej për llogari të Sali Berishës, ish-President gjatë revoltave të vitit 1997 dhe krizës së firmave piramidale dhe ndërkohë kryeministër në vitet 2005-2013.
Por, shkresa e Policisë Krimianle italiane, thekson se Kulla, edhe pse vepronte për llogari të Berishës, ishte në dispozicion të Ilir Metës (në atë kohë kryetar i Kuvendit dhe aleat i Ramës në qeveri) për të cilin shkresa thekson se ka qenë kryeministër nga vitet 1999-2002 dhe krijues i Lëvizjes Socialiste për Integrim, “parti që bën pjesë edhe Kulla”, theksojnë dokumentet italiane.
Hetimi i policisë italiane bën të ditur se plani i Kullës dhe de Gregorios ishte që shkrimi të publikohej edhe në një gazetë në print, gazetën “Roma” që dilte në Napoli, faqja e parë e së cilës do të lexohej në pasqyrën e shtypit në televizionet kombëtare RAI dhe Mediaset.





