DURRËS, 7 maj 2013– Kanë marrë fund ethet e përfshirjes në listat e kandidatëve, ndërsa zgjedhësit janë gdhirë me emra kandidatësh që në të shumtën e rasteve nuk thonë asgjë për ta. Pyesin njëri-tjetrin po ky kush është, nga ka dalë, çfarë kontributi ka në komunitet dhe një mori pyetjesh pafund. Askush nuk e di mbi ç’bazë, mbi ç’kritere janë bërë përzgjedhjet nga drejtuesit e partive kryesore. Berisha dhe Rama këtë herë më shumë se kurrë janë shfaqur të ngjashëm. Kanë thënë fjalën e fundit dhe me bindje, po ndërsa në selinë blu kjo pranohet në heshtje, selia e “Rilindjes” është përshkuar nga tensione dhe reagime të forta natën e kaluar, të cilat mund ta penalizojnë në terren.

Demokracia e brendshme partiake e nëpërkëmbur. Ka plot zgjedhës që ndjehen të çoroditur, pasi u ofrohen në zonat e tyre elektorale emra që nuk kanë lidhje me zonën ku kandidojnë. Nuk e njohin atë dhe rrjedhimisht nuk do të kenë mundësi as ta përfaqësojnë denjësisht atë elektorat në parlamentin e ardhshëm. Sistemi parlamentar e mundëson një përzgjedhje të tillë, po Shqipëria shfaqet si rast unik në Evropë ku njëshat vendosin dhe ushtarët binden. Një populli i civilizuar mund të zgjidhte dhe rrugën e mosdaljes fare në zgjedhje, për t'i dhënë një mësim kësaj situate diktati që mban peng vendin duke krijuar parlamentin e bindjes dhe jo të përfaqësuesve të popullit. Po kush janë përfaqësuesit e sovranit në Durrës?  

Lista e socialistëve të Durrësit kryesohet nga emra të njohur të Partisë Socialiste në rang kombëtar, por edhe lokal, si Blendi Klosi, Klodiana Spahiu, Ilir Beqaj dhe Namik Dokle. Është përfshirë në listën e kandidatëve, ashtu si dhe pritej, Gentian Bejko, kryetari i PS-së për Durrësin. I gjashti në listën e PS-së, Artur Bushi, vjen në këtë kandidim pas fitores në zgjedhjet vendore të 2011 në komunën e Thumanës dhe i duhet të lërë mandatin e fituar. Shkëlqim Troplini që ndjek listën është kandidati që garoi për të fituar komunën e Rrashbullit përballë kandidatit të Aleancës për Qytetarin, kryetarit aktual të komunës Hysen Gashi në zgjedhjet e fundit vendore. Troplini vinte në këtë përballje me siglën e PS-së, pas largimit nga rradhët e PD-së, por dështoi përballë Gashit që fitoi një tjetër mandat në Rrashbull. Lista e socialistëve vijon me Jurgis Çyrbja, Sokol Sula dhe Ardian Kokomani, përkatësisht drejtues të Partisë Socialiste te Katër Rrugët e Shijakut, Manzë dhe Gjepalaj, për të vijuar në vendin e 11 me ish-prefektin e Durrësit Gëzim Agasi dhe më pas me kryetarin e partisë për Shijakun, Tauland Xheraj dhe mbyllet me 26 vjeçarin Erald Hasanaj, i riu që riorganizoi të rinjtë socialistë në Durrës dhe aktualisht drejton FRESSH-in.

Në listën e socialistëve shfaqet dhe një kandidate e 14-të, që konsiderohet një gabim “taktik” i Ramës për ta zbukuruar atë me një emër femëror dhe krijuar përshtypjen e respektimit të nëpërkëmbur të kuotës gjinore të përcaktuar qartë në Kodin Zgjedhor.

Kuota 30 përqind e pranisë së kandidateve gra dhe vajza nuk është respektuar as nga partia në pushtet. Në Durrës e vetmja kandidate grua është Albana Vokshi, e treta në listën e kryesuar nga ministri i Drejtësisë Eduard Halimi dhe Gent Strazimiri. Më pas lista vijon me kryetarin aktual të Partisë Demokratike në Durrës, deputetin Igli Cara që prêt të marrë një tjetër mandate, për të vazhduar me shefin e kabinetit të kryeministrit, Oerd Bylykbashi, përfshirja e të cilit në listë ishte parashikuar dhe mbështetur dhe nga shfaqjet e ndryshme të tij në eventet e organizuara në qytet, kohët e fundit. Osman Metalla do të kandidojë sërish për mandatin e deputetin, ndërsa lista e demokratëve në Durrës në kufirin e mandateve të prezumuara si të fituara mbyllet me Vullnet Topallin. Një lëvizje e mirëmenduar e kreut demokrat Berisha. Topalli vjen nga rradhët e policisë së shtetit dhe mban gradën Drejtues i Parë. Nga të dyja forcat kryesore politike vihet re një përpjekje e fortë për të fituar me çdo kusht sa më shumë mandate në Durrës. Socialistët luftojnë duke përfshirë në lista, poshtë 7-shes, emrat e drejtuesve lokalë të partisë, ndërsa demokratët vendosin në kufirin e saj Topallin që gjithashtu do të luftojë fort për të qenë pjesë e parlamentit të ardhshëm duke mundësuar një fushatë të fortë dhe shfrytëzuar të gjitha mjetet për sigurimin e votës dhe ruajtjen e saj.

 

 

LISTA ZYRTARE E KANDIDATËVE TË PD-së QARKU DURRËS

1.EDUARD HALIMI 
2. GENT STRAZIMIRI 
3. ALBANA VOKSHI 
4. IGLI CARA 
5. OERT BYLYKBASHI 
6. OSMAN METALLA 
7. VULLNET TOPALLI 
8. LUFTER XHUVELI 
9. KSEANELA MUDERIZI 
10.ZAMIR RAMADANI 
11.MERITA BAKIU 
12.ARJAN DEDEJ 
13.MIRLINDA ÇEKA 

LISTA ZYRTARE E KANDIDATËVE TË PS-së QARKU DURRËS

1. BLENDI KLOSI 
2. KLODIANA SPAHIU 
3. ILIR BEQAJ 
4. NAMIK DOKLE 
5. GENTIAN BEJKO 
6. ARTUR BUSHI 
7. SHKELQIM TROPLINI 
8. JURGIS ÇYRBJA 
9. SOKOL SULA 
10. ARDIAN KOKOMANI 
11. GËZIM AGASI 
12. TAULAND XHERAJ 
13. ERALD HASANAJ 
14. ESMERALDA SHKJAU 

LISTA ZYRTARE E KANDIDATËVE TË LSI-së QARKU DURRËS

1. LEFTER KOKA 
2. EDMOND PANARITI 
3. BUJAR DERVENI 
4. KRISTO HUTA 
5. EDMOND LALA 
6. HYSEN LLACA 
7. ERMION ARAPI 
8. SILVANA MAKSUTI 
9. HAJRI NUHU 
10. ILIR MEMKO 
11. MERITA KUÇI 
12. KLODJANA PASHKAJ 
13. ERMIRA KOÇI 

LISTA ZYRTARE E KANDIDATËVE TË AK-së QARKU DURRËS

1. LISEN BASHKURTI 
2. REZARTA ELEZI 
3. ARDIAN NDREU 
4. ELONA MINA 
5. STEFAN ÇERRI 
6. GEZIM HASA 
7. ILIR VASILI 
8. SOKRAT ALLAMANI 
9. IRENA MNALLA 
10. QEMAL HAXHI 
11. JETMIR HAXHILLARI 
12. JORILDA MERSIN 
13. KLAUDIO TENGU

DEPUTETË TË FRD-së QARKU DURRËS 

1. GAZMEND OKETA

2. SAMI GJERGJI

/v.q. Agjencia Lajmeve "Dyrrah"/