3nëntor 2015 – Kryebashkiaku i Krujës, Artur Bushi ka reaguar pas akuzave të Partisë Demokratike dhe ish-kryeministrit Sali Berisha në lidhje me humbjen e vulës dhe armës së tij. Bushi sqaron se ngjarja ka ndodhur para 1 muaji dhe se ka bërë denoncim pranë organeve kompetente. Ai i quan trillime deklaratat e Berishës dhe Ristanit, ndonëse nuk sqaron se pse i ndodhej me vete vula e bashkisë.
“Unë denoncimin e kam bërë pranë organeve kompetente brenda 5 minutave që kam konstatuar që në makinën time mungon çanta e efekteve personale, 2 orë pasi kam dalë nga zyra, dhe kjo ngjarje ka 1 muaj që ka ndodh. Deri këtu nuk besoj se është lajm me interes publik dhe nuk ka asnjë lidhje me ndonjë shkelje ligjore apo morale. Por ky fakt, nuk e ndal as Saliun dhe as Ristanin që të vazhdojnë në atë vazhdën e trillimeve dhe politikës super banale të shpifjeve dhe sajimeve të njohura që çdo incident normal, ta përkthejnë në një histori të pavërtetë dhe komplet jashtë realitetit. E përsëris edhe një herë që unë kam bërë denoncim të menjëhershëm pranë organeve kompetente dhe jo më shumë se dy orë pas orarit të punës. Për politizimin dhe shpifjen e radhës së këtyre zotërive unë nuk habitem fare, por pyes veten: a kanë familje këta njerëz apo jo? A kanë ndonjë limit moral për shpifjet dhe sajesat e tyre të neveritura, duke konsideruar se janë edhe vetë familjarë? Gjithsesi pa u zgjatur më shumë duke konsideruar që çdo përgjigje ndaj shpifjeve të këtyre njerëzve, unë e konsideroj humbje kohe, dua të them që unë çdo sekondë, minutë dhe orë të ditës, të kohës sime, e kam në dispozicion të detyrës time dhe përgjegjësisë së madhe që kam ndaj nevojave të infrastrukturës së bashkisë Krujë dhe halleve të çdo banori të kësaj bashkie, gjë e cila mund të verifikohet shumë lehtë, mjafton të bëhet një vizitë pranë bashkisë dhe të shihet aktiviteti i saj dhe mënyra sesi i trajtojmë hallet e çdo individi, për të cilën jam shumë krenar, dhe ndryshimi i sapo filluar, do të shihet në mënyrë rrënjësore që në buxhetin e parë të bashkisë Krujë në vitin 2016!”, deklaron Bushi.
Më herët, Berisha me anë të një statusi në Fb akuzoi kryebashkiakun e Krujës se vulën e bashkisë dhe armën ia kishin marrë dy prostituta të cilat nuk ishin paguar prej Bushit. Ndërsa Ristani në një deklaratë për mediat tha se, Bushi i kishte humbur në lokal nate.
/portali DurresLajm/