8 janar 2015 –  Ish-kryeministri Sali Berisha,  në një postim në rrjetin social Facebook, ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit Edi Rama për ngjarjen e Francës.  

Berisha nënvizon se rrugët e Tiranës u përgjakën, ndërsa akuzon Ramën se është  kaput meduzë, pra koka e meduzës të kësaj bande dhe krimit të organizuar.  

Shkrimi i plotë i Sali Berishës, publikuar në Facebook :

Nuk mbulohesh dot me gjethe fiku Edvin! Ti je kaput meduzë e bandës dhe bandave të krimit në këtë vend!  

"Të dashur miq. Tre netë më parë, Tirana u terrorizua nga një krim serial i bandës së qeverisë Shullazi, u përgjakën Rruga e Kavajës, Rruga D Hila dhe, rreth 20 minuta më vonë, edhe autostrada në dalje të Tiranës.   Dje, policia e shtetit policor, që ka burgosur me urdhër të Ramës për energji adoleshenten që rriste tre jetim se nuk kishte para për të paguar energji apo që kishte marrë në komisariat edhe fëmijë pesë vjeçar me të ëmën, po për këtë shkak, liroi me nderime të veçanta mëkëmbësin e qeverisë në bandën Shullazi, Emilianon. Ky akt kriminal akuzon rëndë Ramën dhe tregon lidhjet e tmerrshme të tij me krimin dhe me këtë bandë, si kryetari defakto i saj. Në këtë gjendje, Rama i zbuluar me lakuriq se në plazhet e botës, vrapoi dje me tërbim të gjejë një gjethe fiku për të mbuluar turpet e tij. Ai zgjodhi për të tillë padinë penale dhe civile ndaj Edi Palokës, vetëm e vetëm se, në emër të opozitës, ai i bëri dje publikisht Ramës disa pyetje për lirimin e Shullazit dhe që atij i ngecën keqas në fytë.    Tani më duhet t’i them zotit Rama, jo më pyetje retorike por troç dhe direkt se, ti je kaput meduzë, pra koka e meduzës të kësaj bande dhe krimit të organizuar sepse : 1-Ti je koka e meduzës të kësaj bande dhe krimit në Shqipëri sepse dje, Policia e PS me urdhër nga lart, liroi pa asnjë arsye ligjore por vetëm duke përgënjeshtruar veten dhe manipuluar provat, kreun e bandës Shullazin. E bëri këtë akt kriminal për llogari të Edi Palokës apo të Edi Ramës? Këtë çdo shqiptar e ka tashme të qartë.   2- Policia e Partisë Socialiste nisi publikisht manipulimin e ngjarjes, që natën e parë të krimit serial, kurse Didi, ky vrasës i PS, përgënjeshtronte Policinë e Tiranës, reporteret e mediave në tërën dhe vet spitalin e Traumës, që deklaronin në unison se Shullazi është i plagosur dhe gjendet në spital. Didi i PS deklaronte me zyrën e tij se, Emili i PS nuk është i plagosur. E bënte këtë mashtrim Didi për llogari të Edi Palokës apo të Edi Ramës që donte me çdo kusht që Emili i Partisë të dilte i pa lagur? Këtë e ka të qartë çdo qytetar. 3-Ti je kreu i meduzës të bandës dhe krimit të organizuar në këtë vend dhe Shullazi aty është vetëm Ergysi yt sepse, me urdhër nga lart, Policia PS pa asnjë provë, fakt apo argument, deklaroi dje se ngjarjet e para tre netëve nuk lidheshin njëra me tjetrën. Pra, policia mashtroj duke thënë se Shullazi nuk ishte nisur për Tiranë, për shkak se banda e tij u përgjak në Rrugën e Kavajës, por tek vinte në Tiranë për një dorë letra apo diçka tjetër, ai ishte viktimë e një atentati, prite kundra tij. E bëri këtë trillim për llogari të Palokës, që ti frikacak, e nderove me padinë civile dhe penale apo të Edi Ramës që ka përdor bandën kundër opozitës? Këtë çdo shqiptar e di.   4-Ti je kreu i meduzës të bandës Shullazi dhe i krimit të organizuar në tërësi sepse dje, Policia e PS-së për ta bërë edhe më të besueshëm mashtrimin e vet dhe për ta nxjerrë edhe më të pastër, më të larë Emilin e PS, për të justifikuar lirimin e tij , deklaroi të kundërtën e asaj që kishte deklaruar tre ditë me radhë, se ngjarja e Qaf-Kasharit ka ndodhur 15 minuta para ngjarjes në Rrugën e Kavajës. Kjo bëhej për të nxjerrë super të larë Shullazin e qeverisë, pra për të faktuar se ai nuk po vinte në Tiranë sepse atij iu godit banda, por po vinte për një dorë letra me Sajmirin e tij apo për të kthyer ndonjë borxh mbasi në makinën e tij, përveç gëzhojave të revolverit, u gjenden 7 mijë euro, mijëra dollarë dhe qindra mijëra lek. E bëri këtë policia e PS për llogari të Edi Palokës apo të Edvinit në krye të PS? Këtë çdo njeri, përveç teje që mbulohesh me gjethe fiku, e dinë shumë mirë.   5- Ti je kreu i meduzës sepse, për të mjegulluar ngjarjen, policia arrin sa të komunikoj dhe më të vdekur. Ajo u tha dje shqiptarëve se, atentatori i vrarë kishte ndërmend të vriste katër persona. E bëri këtë, pra mori në pyetje të vdekurin policia e PS për llogari të Edi Palokës apo të Edvin Kristaq Ramës? Këtë çdo polic e di. 6-Edvin, ti je koka e shëmtuar e meduzës sepse, për të mbrojtur veten, lidhjet tuaja me bandën dhe krimin, nxjerr papagajtë dhe papagushkat tuaja që përdhosin apo kanë shndërruar studiot televizive në lavamanë apo tualete të qeverisë, duke deklaruar në mbrojtje tënde se, nuk prishë katin e parë të ndërtesës dhe nuk preke katin e dytë se banonte një familje (papagushka nr. 1), apo se Shullazi i Partisë nuk është plagosur (papagalli nr. 4), e madje dhe më shumë. Ata në përçartjen e tyre mjerane, për të mbrojtur ty, vjedhin për publikun në studio e debate televizive, iluzionet e mendjes tënde të sëmurë, sipas të cilës Riformato i yti dhe Belushkës mori urdhër nga Berisha për të hedhur në Divjakë rrotën e avionit të drogës, ( papagalli nr. 1). E bëjnë këtë papagajtë e tu për llogari të Edi Palokës apo të kryeministrit rrotë avioni? Këtë e di dhe çdo fëmijë!!   Si përfundim, lidhjet e Edi Ramës me krimin dhe bandat janë të tmerrshme, të pazgjidhshme dhe mjerisht me pasoja katastrofale për vendin dhe stabilitetin e tij! Vetëm largimi i tij, me protesta mbarë popullore, do të shpëtojnë Shqipërinë!".

/sot news/