Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha në një konferencë për mediat është ndalur edhe ditën e sotme në emërimet dhe shkarkimet në bashkinë e Tiranës.

Kreu i PD-së u shpreh se Erion Veliaj e ka kthyer qelinë e burgut në zyrë bashkie, pasi nga atje firmos dhe vulos dokumente si të ishte në zyrë.

“Çështja e ditës është seria e fundit e Narcosit, që zhvillohet në godinën e qeverisë, bashkisë Tiranës dhe qelitë e burgut qeveritar në Durrës. Zhvillohet një skenar që as në filma nuk do mund të ishte i tillë.  Një skenar me habira, me çudira, të denja për çdo puntatë të Narcosit.  Në puntatën e fundit pra, çfarë ndodh? Ndodh që Erion Veliaj ka shndërruar qelinë në zyrën e bashkisë. Erion Veliaj aty firmos dhe vulos sikur të ishte në zyrën e bashkisë. Se si mund të ndodhë kjo e di vetëm regjizori. Sikur të jetë në ‘susam hapu’ apo në urdhër të peshkut”, thotë Berisha.

Ndër të tjera Berisha gjatë fjalës së tij është shprehur se emërimi i Anuela Ristanit si kryetarja e komanduar në Bashkinë Tiranë duhej të bëhej nga Këshilli Bashkiak dhe jo nga Edi Rama siç pretendon lideri demokrat.