TIRANE, 01 prill 2013- Kryeministri Berisha deklaroi sot se vendimet e sotme të parlamentit janë të një rëndësie jashtëzakonisht të madhe për biznesin, investimet vendase dhe të huaja në Tiranë dhe në mbarë Shqipërinë.
Duke iu referuar ligjit për planifikimin e territorit, kryeministri Berisha theksoi se me anë të këtij ligji merr fund epoka e betonizimit dhe e shkatërrimit.
“Kushtetuta u mor peng nga një klan miliarderësh të PS që nuk lejuan që Tirana të bëhej me plan rregullues. Një plan i premtuar që në muajin e parë të mandatit nga kreu i PS-së, por një plan i shtyrë në kalendar për të mos u realizuar kurrë prej tij, ndryshimet që votuat në përputhje me planin kanë një rëndësi të madhe se ato heqin autoritetit qendror të gjitha kompetencat e mëparshme të trashëguara nga regjimi i kaluar dhe i kalojnë krerëve të bashkive dhe komunave” tha Berisha.
Sipas tij, ky ligj hap siparin e Tiranës moderne, që në një hark dy vjecar njeh fillimin e punimeve të bulevardit të ri me gjerësi më të madhe se ekzistuese e gjatësi të njëjtë.
“Do shndërrojë zonat periferike të Tiranës, ku shkarkoheshin makinat e plehrave se nuk niseshin në Sharrë se u vidhej karburanti, tani do jenë zona kryesore të metropolit, do kenë bulevardin ndër më të bukurin në Evropë, bulevardi i Dëshmorëve të Kombit, Zogu I dyfishohet në gjithë parametrat e tij, do mbetet në memorien e shqiptarëve momenti kur kryetari i bashkisë si i ngratë dhe i shkretë shpërndante në bulevard thasët e plehrave si dëshmi e respektit të tij për qytetin dhe qytetarin. Tirana është kryeqyteti i gjithë shqiptarëve, merr fund me këtë votim në Kuvend dhe praktika e shpërblimit me leje ndërtimi dhe bërjes milionerë brenda natës vetëm për faktin se kishe teserën e PS dhe paguaje 20% pa bërë fjalë, tani nuk kërkohet më tesera e asnjë partie, tani për pronën do shpërblehen të barabartë mes të barabartëve, si ai mbi të cilin ndërtohet trualli, si ai që i bëhet parking, garazh etj”- tha Berisha.
Gjithashtu, kryeministri Berisha ka kërkuar nga opozita të votojnë ligjet si akt pendese për gjithë bllokimet që kanë bërë në Kuvend dhe në një gjest miqësor ndaj atyre që i quanit eskimezë, në respekt të papunëve socialistë, demokrat e të paparti që presin me padurim krijimin e vendeve të punës.
“Votoni në respekt të qytetarëve të Tiranës që u bëtë persekutim urbanistik gjatë 11 viteve në pushtet”- tha Berisha, duke deklaruar se epoka e Edvinit groposet në mënyrë përfundimtare në kushtetutën e re të Tiranës. Sipas tij, ajo ishte koha e betonit e shkatërrimit, madje edhe pas vilës në Dajt, ka një mandat deputeti.





