Ish-kryeministri Sali Berisha iu drejtua me një fjalim mbështetësve të tij nga dritarja e banesës ku qëndron i izoluar që prej 30 dhjetorit të vitit të kaluar.
Berisha deklaroi se Kombi ndodhet në një rrezik që nuk e ka përjetuar në këtë shkallë në tërë historinë e tij.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, nderimin tim më të madh, mirënjohjen më të pakufishme ndaj jush, misionarëve të vërtetë të guximit, shpresës dhe të vërtetave të mëdha të shqiptarëve.
Të dashur miq, kjo betejë që po bëni është një betejë, e cila ka mision kryesor shpëtimin e kombit nga tirania e vjedhjes, krimit dhe drogës.
Çdo qytetare dhe qytetar kudo që ndodhet duhet ta dijë se askush nuk po lufton vetëm për veten e tij.
Se çdo njëri prej jush po sakrifikoni, po ndesheni, po luftoni për çdo shqiptar të ndershëm kudo që ndodhet, në Shqipëri, jashtë saj dhe pavarësisht nga bindjet e tij politike.
Kombi ndodhet në një rrezik që nuk e ka përjetuar në këtë shkallë në tërë historinë e tij në të gjitha mynxyrat dhe pushtimet që ka njohur në shekuj.
Fara e keqe e Rilindjes me vjedhjet, krimet e saj, po shkatërron shqiptarët.
De facto po i përzë ata nga Shqipëri, po shpopullon Shqipërinë më shumë se çdo luftë, më shumë se çdo murtajë, më shumë se çdo diktaturë tjetër që ka njohur në histori.
Miqtë e mi, pra kjo betejë nuk është betejë për paratë që vjedhin qeveritarët.
Është betejë për paratë e qytetarëve që vjedhin qeveritarët.
Betejë për paratë e qytetarëve që vidhen dhe me të cilat mund të dy dhe trefishohen rrogat.
Me të cilat mund të kreditohet, subvencionohet çdo fermer në Shqipëri.
Me të cilat mund të dy dhe trefishohet pensionet e shqiptarëve.
Me të cilat mund të ndërtohet dhe rindërtohet infrastruktura më moderne në të katër anët e vendit.