Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dalë sot në një konferencë për media, ku ka përsëritur akuzat e tij ndaj kryeministrit Edi Rama lidhur me atë që e cilëson si një “superskandal ndërkombëtar korrupsioni”, që përfshin ish-agjentin e FBI-së Charles McGonigal, qeverinë shqiptare dhe një kompani kineze.

Berisha tha se takimet e Ramës me McGonigal në vitin 2017 duhet të hetohen në mënyrë të plotë dhe ndërkombëtare, veçanërisht për koncesionet që, sipas tij, mund t’i jenë dhënë një kompanie kineze pas këtyre kontakteve.

“Se çfarë koncesionesh i dha Rama kompanisë kineze, kjo kërkon hetim ndërkombëtar. Unë jam këtu sot për t’i bërë thirrje FBI-së, Departamentit të Drejtësisë, Kongresit dhe Senatit të SHBA që të ndihmojnë shqiptarët për zbardhjen e këtij skandali,” deklaroi Berisha.

Sipas tij, opozita ka dorëzuar një dosje me informacion të ndjeshëm, e cila që prej tre vitesh mbahet “në sirtar”.

Ai shtoi se lidhjet e Ramës me këshilltarin e tij Dorian Duçka janë “të errëta” dhe meritojnë të jenë pjesë e hetimit, duke theksuar se Prokuroria ka nisur një çështje formale “pa e thirrur kurrë Ramën në pyetje”.

Sali Berisha: Tani, Rama prapë kthehet në zyrën e tij në vitin 2017. Se çfarë koncesionesh i dha kompanisë kineze, kjo kërkon hetim ndërkombëtar.
Unë jam këtu sot për t’i bërë thirrje FBI-së, Ministrisë së Drejtësisë të SHBA, Kongresit dhe Senatit të ndihmojnë shqiptarët në hetimin e këtij superskandali, pasi Altin Troplini, ky mercenar i Edi Ramës, mban prej tre vitesh në sirtar dosjen e dorëzuar nga opozita. Një dosje të sensivitetit të më të lartë.

Një dosje, e cila mjafton të marrësh dosjen shqiptare të gjykatës së Uashingtonit dhe Edi Rama del po aq fajtor sa vetë McGonigal për ryshfetin që ka marrë dhe që ky i ka dhënë atij.

Por i ka shumë të errëta lidhjet e tij me Dorian Duçkën dhe jo vetëm Dorian Duçkën.

Thirrja ime është të hetohet.

PD disponon fakte dhe të dhëna absolutisht me interes të padiskutueshëm në këtë proces hetimi dhe mund të japë një kontribut të çmuar.
Por, njeriu që po bllokon hetimin është Altin Troplini.

Është një dhe vetëm një, Altin Troplini, i cili ka hapur gjoja çështjen, por çështjen e ka hapur pa thirrur kurrë Edi Ramën, pra pa emër, siç ka hapur çështje për Irena Gjokën.

Pra, në të dy rastet për të mbrojtur.