TIRANË, 5 korrik 2013 – Kryeministri Sali Berisha firmosi sot rritjen e pagës minimale në nivelin 11.3%. Lajmin e bëri të ditur vetë kryeministri, duke komentuar në faqen e tij në rrjetin social Facebook. 

"Të dashur miq, sot firmosa vendimin për rritjen e rrogës minimale me 11.3 %. Kjo është rritja më e madhe që kemi bërë ndonjëherë e rrogave të ulta. Me këtë vendim rroga minimale në Shqipëri, krahasuar me fillimin e vitit 2006, rritet me 110 %. Ne mbajmë premtimet”, shkruan Kryeministri Berisha.

 

Rama: Berisha ndal vendimet. Biznesi urgjent të distantohet nga kjo qeveri

Kryetari i PS, Edi Rama i ka bërë thirrje sot kryeministrit ende në detyrë, z Sali Berisha që të ndalë miratimin e vendimeve të qeverisë.

Sipas Ramës, populli e ndëshkoi pikërisht për këto vendime që ka marrë ndaj qeveria e ardhshme do të sillet e rreptë ndaj cdo aktiviteti privat që nis punën pas 23 Qershorit. 

Thirrja e Ramës u bë sot në punimet e Asamblesë Kombëtare të PS, ku Rama mbajti një fjalim hyrës. 

"Jam i detyruar tu bëj thirrje të gjithë subjekteve që të mos vazhdojnë bashkëpunimin me këtë qeveri, pasi ne do jemi të rreptë me çdo produkt të bashkëpunimit të subjekteve private me qeverinë pas zgjedhjeve të 23 qershorit. Është e pamundur që një qeveri e ndëshkuar nga populli të vazhdojë sikur s’ka ndodhur asgjë dhe të marrë vendime mbi pasuritë kombëtare për çëshje për të cilat u ndëshkua me votë", tha kryesocialisti Rama.

Deklarata e Ramës vjen pas mbledhjes së qeverisë ku u miratuan rritja e pagave dhe pensioneve dhe pas mbledhjes më të fundit atë të Këshilli Kombëtar i Territorit ku u miratua plani kombëtar sektorial për gazsjellësin TransAdriatik, si dhe lejet zhvillimore komplekse për ndërtimin e disa hidrocentraleve dhe disa plane të përgjithshme vendore.

E ndërsa Rama bëri thirrje që Kryeministri në largim Sali Berisha të ndalë miratimin e vendimeve të qeverisë, po sot Berisha firmosi rritjen e pagës minimale në nivelin 11.3%