TIRANË- Gratë dhe vajzat e Lidhjes Demokratike të Gruas Shqiptare zgjodhën mbrëmjen e djeshme për të festuar dhe uruar njëra-tjetrën për Vitin e Ri që po vjen. Kësaj feste dhe këtij urimi i është bashkuar edhe kryeministri Berisha, i cili i shoqëruar nga bashkëshortja e tij zonja Liri Berisha, uroi të gjitha gratë e vajzat demokrate dhe ato në mbarë Shqipërinë për Vitin e Ri 2013.
Gjatë fjalës së tij përshëndetëse kryeministri vlerësoi rolin dhe kontributin e tyre, të cilat me përkushtim dhe seriozitet kanë bërë gjithçka për fitoren e Partisë Demokratike gjatë këtyre 22 viteve.
Kryeministri u shpreh se, të gjitha fushatat elektorale të fituara nga PD janë fituar para së gjithash dhe mbi të gjitha nga mbështetja e madhe e të rinjve dhe grave të Shqipërisë.
"Mandati 2009-2013 është një mandat, në të cilin PD, në krye të një koalicioni ka bërë me shumë se kurrë në historinë e këtij vendi, për mirëqenien e qytetarëve shqiptarë, për shkollimin dhe shërbimin shëndetësor të tyre, për infrastrukturën, pra ka bërë më shumë se kurrë për ta shndërruar Shqipërinë në një vend të zhvilluar", tha Berisha
Ai shprehu kënaqësinë që në të gjitha reformat e mëdha të kryera në këto vite, ai ka patur fatin të ketë bashkëpunëtore të shkëlqyera, të cilat me përkushtim, ndershmëri dhe mençuri japin dhe kanë dhënë një kontribut madhor në reformat transformuese të vendit.
Gjithashtu, kryeministri kërkoi nga gratë dhe vajzat, që të vazhdojnë të mbështesin dhe të punojnë për PD-në, pasi tashmë vendi ka hyrë në një fushatë elektorale dhe se PD në këto zgjedhje shkon si një forcë politike me arritje, të cilat kurrë ndonjëherë nuk do ishin imagjinuar më parë. Berisha kërkoi që të punohet fort me çdo votë, duke trokitur në çdo shtëpi, portë dhe zemër të çdo zgjedhësi, për të shënuar në zgjedhjet e ardhshme fitoren e sigurtë.