TIRANE, 22 shkurt 2013 – Kryeministri Berisha priti sot në një takim zëvendës ndihmës sekretarin e shtetit të SHBA z. Phillip Reeker dhe shtroi një drekë për nder të tij e cila u zhvillua në një atmosferë shumë të hapur e miqësore.
Zyra për shtyp e kryeministrit të Shqipërisë bëri të ditur se z. Reeker i ripohoi Kryeministrit Berisha se SHBA do të vijojnë të mbështesin fuqishëm Shqipërinë e rajonin, përfshi edhe përpjekjet për integrim në BE. Në këtë kontekst, z. Reeker përshëndeti edhe marrëveshjen e fundit trepalëshe të nënshkruar midis Italisë, Greqisë dhe Shqipërisë si një shenjë tjetër e klimës së bashkëpunimit për interesat e përbashkët të këtyre vendeve.
Zyra për shtyp e kryeministrit nwnvizon gjithashtu se biseda u ndal në përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme parlamentare në vend.
“KM Berisha theksoi se realizimi me sukses i reformës zgjedhore ka bërë të mundur që sot Shqipëria të ketë një kuadër ligjor, zgjedhor, në të cilin janë reflektuar të gjitha rekomandimet e ODIHR-it”.
Në këtë kuadër, kryeministri nënvizoi se zgjedhjet do gëzojnë standardet e zgjedhjeve ndërkombëtare, të lira dhe të ndershme.
“Berisha nënvizoi masat e marra nga administrata zgjedhore për rritjen e ndjeshme të shpejtësisë dhe transparencës në votim dhe numërim.
Kreu i qeverise shqiptare i ripohoi z. Reeker dëshirën dhe kërkesën e qeverisë shqiptare që SHBA të dërgojnë numrin më të madh të mundshëm të vëzhguesve të zgjedhjeve duke e siguruar atë se qeveria shqiptare është tërësisht e vendosur për të zbatuar çdo masë në kuadër të shtetit ligjor që zgjedhjet e 23 qershorit të plotësojnë të gjitha standartet ndërkombëtare të zgjedhjeve të lira e të ndershme”, theksoi zyra për shtyp e kryeministrisë.
Kryeministri Berisha e falenderoi z. Reeker për mbështetjen dhe ndihmën e vazhdueshme të SHBA dhe Qeverisë Amerikane dhe atë të Presidentit Obama ndaj Shqipërisë gjatë gjithë kësaj periudhe. Në takim u vlerësua gjithashtu edhe një herë vizita historike e ish-sekretares së shtetit Hillary Clinton në Shqipëri dhe njëkohësisht fakti që në krye të departamentit të shtetit pas largimit të saj qëndron sërish një mik e mbështetës madh i Shqipërisë e shqiptarëve siç është Sekretari i Shtetit John Kerry, të cilit KM Berisha shfrytëzoi rastin t’i ridërgojë përshëndetjet e urimet më të përzemërta.





