27 qershor 2015 – Pas humbjes marramendëse dhe katastrofike në zgjedhjet e 21 Qershorit, disfatë që e bëri modeste edhe humbjen paraardhëse në 2013,  gjuetia e shtrigave dhe “prerja e kokave” në kampin opozitar do të jetë e pashmangshme. Në Partinë Demokratike, subjektin politik më të madh në opozitë, po përvijohen me shpejtësi dy strategji, pas humbjes së 45 bashkive dhe 58 këshillave bashkiakë në zgjedhjet e 21 Qershorit. Ndërsa në SHQUP nuk mendohet për gjë tjetër veçse për humbjen, Sali Berisha mësohet se po përgatitet për të nisur fushatën e “gjuetisë së shtrigave” dhe “prerjeve të kokave”. Sipas burimeve pranë rrethit të Bashës, dyshja Berisha-Basha po përpilojnë një listë me përgjegjësit dhe shkaktarët kryesorë të humbjes në 75 përqind të njësive vendore. Në shënjestër pritet të jenë të dyshuarit për sabotimin e fushatës, drejtuesit e fushatës, koordinatorët, ideatorët e strategjisë së fushatës, të ngarkuarit me detyrë për të mbikëqyrur fushatën, krerët e degëve etj. Po sipas burimeve, në ditët në vijim, do të vihen në lëvizje forumet më të larta të Partisë Demokratike, për të nisur procesin e analizës, të ndarjes së përgjegjësive si dhe për të përcaktuar aksionin e ri politik.   Përpos Berishës dhe Bashës, ky proces po nxitet edhe nga disa deputetë, të cilët kanë rezultuar të suksesshëm në disa bashki në Veri të vendit. Ndërsa baza e PD sheh Bashën dhe rrethin e tij si përgjegjës kryesor për humbjen, në mbledhjet e forumeve do të “kryqëzohen” drejtuesit e fushatës në bashkitë humbëse, koordinatorët dhe të dyshimtët. Ndërkaq, strategjia e dytë, parashikon përcaktimin e aksionit politik që do të ndiqet. Pas sinjalit se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në bashkëpunim me Sali Berishën, pritet të nisë një aksion të ri politik, për të kthyer në kauzë deformimin dhe dhunimin e zgjedhjeve. Aksioni i ri do të nisë pas publikimit të raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR. Gjetjet e këtij raporti pritet të përdoren nga Berisha dhe Basha si argument për të kontestuar rezultatin e zgjedhjeve. Ndërsa mazhoranca pritet të qëndrojë indiferente përballë këtij skenari, Berisha dhe Basha do t’i rikthehen bojkotit parlamentar dhe protestave popullore. Deputetë të PD kanë konfirmuar planet për aksionin e ri politik, i cili parashikon rikthim të radikalitetit, protestat dhe bojkoti i punimeve të Kuvendit.   

Deputetët kërkojnë analizën e humbjes   

Deputeti i Partisë Demokratike, Bedri Hoxha, në një reagim për gazetën SOT, tha se përgjegjësitë e humbjes bien jo vetëm mbi kryetarin Basha por mbi të gjithë koordinatorët e fushatës. Ashtu si Maliqi, edhe Hoxha deklaroi se është e domosdoshme të bëhet analizë e rezultatit dhe të identifikohen përgjegjësit. “Analiza është e domosdoshme dhe unë besoj se do të bëhet. Sigurisht që përgjegjës do të ketë. Gjithsesi sipas rastit, sipas zonës që ka mbuluar, do të marrë edhe përgjegjësinë e rezultatit”, tha deputeti Hoxha. Dy ditë më parë reagoi edhe ish-deputeti i PD, Fatos Hoxha, i cili bëri përgjegjës për humbjen e PD, lidershipin e kësaj partie, Lulzim Bashën. Hoxha u shpreh se PD edhe në këto zgjedhje u tregua hipokrite dhe arrogante. “Përgjegjës janë Berisha dhe Basha. Populli ndëshkoi hipokrizinë e lidershipit të PD”, u shpreh Hoxha.   Edhe ish-deputeti Selami Xhepa është shprehur se PD ndodhet në momente shumë kritike dhe se tashmë i takon forumeve të larta të partisë, që të bëjnë analizën e humbjes. Ndërkohë, deputetja Mesila Doda ka qenë e para që ka kërkuar largimin e Bashës nga drejtimi i PD. “Të paktën sot biem dakord të gjithë që ti kishe të drejtë. Politika nuk është as matematikë, as ekonomi e as llogari meskine numrash…është filozofi dhe inspirim”, ka deklaruar Doda disa ditë më parë. Ndërkaq, deputetja Bregu dhe Strazimiri kanë qenë të vetmit që kanë pranuar humbjen. Ditë më parë ata janë shprehur se t’i largohesh humbjes nuk është zgjidhje. “T'i ikësh realitetit nuk është fitore, por ta pranosh mund të bësh ndryshimin”, shkroi disa ditë më parë Bregu në Facebook.   

Presioni ndaj Bashës   

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Lefter Maliqi, në një reagim për gazetën “Sot”, u shpreh se përgjegjësia kryesore e humbjes së të djathtës është e kryetarit Lulzim Basha. Ai tha se e djathta në këto zgjedhje ka pësuar humbje të thellë dhe është e domosdoshme të bëhen edhe një herë zgjedhje brenda strukturave  në rrethe dhe në qendër. Sipas Maliqit, kryetari Basha duhet të bëjë urgjentisht analizë të rezultatit pasi në të kundërt, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, e djathta do të pësojë disfatë. “Është përgjegjësi e kryetarit Basha të bëjë analizë. Por unë them që njerëzit afër tij kanë dëmtuar PD dhe shkaktuan humbjen e thellë. Unë mendoj që në bashkitë dhe zonat ku humbja është e thellë të bëhen edhe një herë zgjedhje brenda partisë, pavarësisht se statuti nuk e parashikon. Zgjedhjet duhet të bëhen edhe në qendër. Deri tek koordinatorët që janë anëtarë kryesie. Nëse nuk bëhet një riorganizim të menjëhershëm, PD rrezikon humbje edhe më të thellë në zgjedhjet parlamentare të 2017”, tha ish-deputeti i Partisë Demokratike, Lefter Maliqi. 

/Gazeta 'Sot'/