DURRES, 8 qershor 2013 – Kreu i ekzekutivit dhe njëkohësisht lider i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka qenë edhe sot në Durrës ku ka përuruar linjën e ujësjellësit Spitallë-Porto Romano.

Me një ivestim prej 101 milion lekësh, fonde të buxhetit të shtetit dhe të Ujësjellës Kanalizime Durrës, u bë shtrirja e 72 km rrjet tubacionesh kryesore dhe dytësore për të mundësuar furnizimin me 24 orë ujë të pijshëm të 5 mijë familjeve.

Gjatë përurimit, Berisha deklaroi se u mbajt një premtim me këtë investim të realizuar, ndërsa për mandatin e ardhshëm premtoi:

“Në Spitallë, Kënetë dhe Porto Romano do të asfaltojmë çdo rrugë e rrugicë. Do të ndërtojmë e rindërtojmë çdo shkollë e qendër shëndetësore, do bëjmë gjithçka për punësimin tuaj. Këtë 4 vjeçar, porti i Durrësit do të presë anije 44 mijë tonëshe, do të fillojë ndërtimi i gazsjellësit TAP, projekti më i madh evropian që kalon nëpër Shqipëri”. 

Berisha ftoi rivalin politik Rama të vijë në këtë zonë ku furnizimi me ujë të pijshëm bëhet 24 orë, ndërsa akuzoi kryebashkiakun e Durrësit, Dako për taksa të larta ndaj biznesit. 

“Për të patur të qartë mashtrimet e shokut të autobusit mavi ju ftoj të shkoni tek një biznes i vogël në qendër të Durrësit dhe shikoni sa paguan nga Gjushi i Ramës dhe krahasoni me një biznes në Tiranë, diferenca do jetë 40 deri në 50% më e ulët, po nuk ishin kështu votoni taksat e Gjushit. Ftojeni të vijë këtu, se deklaron çdo ditë se jemi në mesjetë më duhet t’i them këtij nihilisti se vetëm 5 vite më parë më pak se 60% e shqiptarëve merrnin ujë të rrjedhim sot 90% e tyre dhe do rritet në vazhdim për furnizim 24 orë. Prandaj i thoni shokut të autobusit mavi ta sjellë këtu autobusin që të shpëtojë nga mesjeta. Këtu ka ujë 24 orë.”- tha  Berisha duke kërkuar nga banorët të votojnë nr.44 nëse besojnë në zhvillim.

/v.q. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/