Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha sot, gjatë një takimi me Lidhjen Demokratike të Gruas, se përulet para forcës dhe qëndresës së tyre. Berisha shtoi se gratë dhe vajzat kanë qenë më të vuajturat në këtë qeveri dhe se PD do të ketë drejtim themelor të saj betejën kundër murit të patriarkisë.
Berisha: “Është një nder i veçantë për mua, në këtë ditë të bekuar, të përshëndes zonjat, zonjushat demokrate, motrat tona, duke kujtuar ditën e shënuar të lindjes së Krishtit, duke mos harruar se është profeti i të gjitha besimeve. Përulem para qëndresës suaj. Keni përjetuar kalvar në regjimin e qeverisë.
Mund t’i japim shumë epitete këtij regjimi, por kam arritur në përfundim se i përshtatet, le ta quajmë Luciferit.
Me këtë term të marrë nga mitologjia, ku zbriti për të bërë ndryshim dhe krijoi katastrofë me fuqi shkatërrimtare të paparë në ndonjë komb tjetër. Dhe ata që e pësuan më rëndë dhe më shumë janë nënat shqiptare.
Sot në Shqipëri janë qindra dhe mijëra nëna që s’i kanë në vatra fëmijët e tyre, por i kanë përcjellë në rrugët e huaja.
Qindra e mijëra gjyshe që jetojnë në vetminë e thellë, sepse ata që duhet të kujdeseshin janë larguar dhe kanë marrë rrugët e dheut. Përballen me një varfëri ekstreme, të frikshme, i mohon mjekimin, i imponon zhytjen”, tha ai.
Berisha solli në vëmendje edhe gratë ministre të qeverisë Rama, duke i cilësuar të pandjeshme ndaj fatkeqësive.
“Kur Rama krijoi kabinet me vajza e gra, unë e përshëndeta, jo me hipokrizi, por me sinqeritet. Pavarësisht se ai ishte kundërshtar dhe ato kundërshtare.
Por kur shoh dramën që përjetojnë nënat, vajzat, gratë shqiptare dhe faktin se këto zonja të pushtetit nuk shqiptojnë një herë të vetme qoftë dhe problemin më të vogël që kanë nënat dhe motrat shqiptare, nuk arrijnë të gjejnë forcën morale dhe t’i dërgojnë një letër ngushëllimi nënës së Martin Canit, që u vra në shkollë e meqë u vra atje, për Edi Ramën është armik, sepse nuk kushton jeta e njeriut, por akuza që i bëhet shkollës”.
Kreu i PD-së, shtoi se: “kur ti lë nënat, motrat, vajzat pa mjekimin jetik për të trajtuar sëmundjen malinje, ti kryen një krim kundër njerëzimit, sepse këto nuk jetojnë jo për shkak të sëmundjes, por për shkak të mjekimit që nuk marrin, që ua mohon, ua privon.
Fronet e pushtetit pra, ushqehen jo vetëm me ëndrra, ushqehen me jetë njerëzish dhe kjo është një e vërtetë. PD e ka pasur, e ka dhe do e ketë drejtim themelor të saj betejën kundër murit të patriarkisë. Për ne, muri i patriarkisë është dhunuesi më i egër se të gjithë të tjerët i lirive dhe të drejtave njerëzore, në rastin konkret grave, vajzave”.