Një ditë përpara protestës kombëtare të paralajmëruar më 10 shkurt, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i ka bërë thirrje forcave të rendit që të bashkohen me protestuesit.
Gjatë fjalës së tij në foltoren e përjavshme të PD-së, Berisha u shpreh se policia duhet të marrë, sipas tij, “vendimin historik” për t’u rreshtuar në krah të qytetarëve.
“Nesër u bëj thirrje forcave të rendit të marrin vendimin historik, të bashkohen me protestuesit. Bashkohuni me interesin e familjeve tuaja, të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve”, deklaroi Berisha.
Kreu i PD-së përdori tone të forta ndaj qeverisë, duke i bërë thirrje qytetarëve për pjesëmarrje masive në protestë.
“Bashkohuni të shporrim këtë bandë kusarësh. Bashkohuni me misionarët që do shporrin këtë qeverinë, do rikthejnë lirinë, udhëtimin drejt Europës”, u shpreh ai.
Berisha e cilësoi protestën e 10 shkurtit si një “kryengritje paqësore”, duke theksuar se synimi është fitorja dhe integrimi europian i vendit.
“Të gjithë në Tiranë në kryengritjen paqësore të fitores, për Europën”, tha Berisha.
Në fjalën e tij, kreu i PD-së përmendi edhe një deklaratë të Komisionit Europian, për të cilën shprehu mirënjohje.
“Mirënjohje KE për deklaratën e sotme që i tha kryehajdutit se kurrë drejtësinë s’mund ta pengosh. Ta detyrojmë hajdutin të shkojë te… aty ku e ka vendin. Nesër e gjithë Shqipëria në Tiranë”, përfundoi Berisha.





