Ylli botëror i pop muzikës, Rita Ora, në ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Londër, është nderuar me dy dhurata të dërguara nga kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha. “Kurrë mos harroni prej nga jeni. Duhet të mburreni që jeni shqiptarë, si unë”, tha Rita Ora.

I ngarkuari me punë në ambasadën e Shqipërisë, Mal Berisha, i ka dorëzuar Rita Orës një xhubletë 100 vjeçare dhe një koleksion të rrallë të monedhave shqiptare të shtypura enkas për 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, të cilat u jepen personaliteteve të mëdha që kanë kontribuar në dobi të çështjes kombëtare.

Mal Berisha deklaroi se xhubleta një shekullore, e cila është bartur nga gratë e malësisë së Shqipërisë veriore, ka një domethënie të madhe. Kjo xhubletë është përdorur nga fotografi i njohur Marubi me të cilën ai ka bërë një numër të madh të fotografive ku shihen gratë shqiptare në te.

Me këtë rast, i ngarkuari me punë i Ambasadë së Shqipërisë, Mal Berisha, dhe i ngarkuari me punë në Ambasadën e Kosovës, Lirim Grajqevci, theksuan se kontributi i Rita Orës është i madh dhe ajo është ambasadorja më e denjë që sot në botë paraqet kulturën shqiptare.

E gëzuar për këtë respekt, Rita Ora theksoi se ndjehet shumë e lumtur si asnjë herë më parë. Rita Ora ka deklaruar: ”Këto dhurata më bëjnë të ndjehem aq e gëzuar, sikur të isha kurorëzuar për mbretëreshë. Asnjëherë nuk kam qenë më e lumtur. Me plotë dëshirë do të vazhdoj që gjatë karrierës sime të vazhdoj në drejtim të promovimit të vlerave shqiptare”.

Fjalimi i shkurtër i saj zbuloi edhe emocionet e këtij ylli. Gati tërë kohën fjalët e saj shoqëroheshin me lot gëzimi.

Të pranishmit në Ambasadën e Shqipërisë, që ishin mbledhur për këtë rast, Rita Ora i falënderoi për respektin që po tregojnë për të shqiptarët në Britaninë e Madh edhe kudo në botë.

Duke parë të rinjtë dhe fëmijët shqiptarë që gjenden aty pranë, Rita Ora tha: “Kurrë mos harroni prej nga jeni. Duhet të mburreni që jeni shqiptarë si unë”.