TIRANE – Kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, deklaroi se të gjithë shqiptarët do të pajisen me pasaportë shqiptare. Këtu përfshihen edhe shtetasit që janë pajisur me pasaporta në vendet ku kanë emigruar. Ai u shpreh si ishte tronditur nga numri i shqiptarëve që po humbasin zyrtarisht kombësinë.

“Unë sot janë i tronditur se po humbasim zyrtarisht kombësinë. Kjo është një çështje e rëndësishme, në vend të t’i mbledhim aty ku janë shqiptaret, me ligjin ekzistues te shtetësisë të humbasin shtetësinë. Ndaj dhe vendimin që dua të marrim sa më shpejt, të fitojnë të drejtë të shtetësisë shqiptare të gjithë shqiptarët që kanë marrë shtetësinë në vendet e Shengenit”,- u shpreh kryeministri.

Berisha ka nënvizuar më tej se duhet bërë gjithçka për të afruar sa më afër shqiptarët dhe për t’u ofruar atyre një shërbim sa më të mirë jashtë territorit të vendit.

Berisha: Taksat e makinave të paguhen online në bankë

Gjithashtu kreu i qeverisë tha se do të ofrohet një shërbim i ri për qytetarët, taksat e makinës që deri tani paguheshin pranë një drejtorie, do të kryhen online në bankë.

“Qytetarët kanë vuajtur në sportelet e drejtorive për të kryer pagesat e taksave të makinave  të tyre. Ndaj ne do të shtojmë një shërbim që i krijon lehtësi qytetarëve. Faturat të paguhen online, në banka, duke qenë se i kemi shumë, kurse drejtori kemi shumë pak”,- tha Berisha.

Autoritetet vendore vendosin taksa të larta për antenat celulare

Gjithashtu kryeministri Berisha ngriti shqetësimin e kompanive celulare, duke thënë se autoritetet vendore vendosin taksa të larta, ndërsa kërkoi miratimin e një ligji që do t’i përjashtojë këto kompani nga çdo taksim për vendosjen e antenave. 

“Ka shpërthyer një histeri e autoriteteve lokale kundër antenave të kompanive celulare, duke gjykuar që janë të pasura iu këpusin taksa të majme, këtë kryesisht e bëjnë ata që thonë që do heqin çdo taksë. Antenat e komunikimit përjashtohen nga çdo lloj takse, ato e japin shpërblimin disa herë më të madh se sa mendohet. Vendosja e këtyre antenave nuk mund të jetë subjekt tatimi as nga vendorët dhe as nga qendrorët, ndryshon problem kur vendosen në pronë private”,- tha ai. 

Personat me aftësi të kufizuar, 5 herë më shumë shpenzime se në 2005-ën

Kreu i qeverisë deklaroi ndër të tjera se qeveria e tij ka shpenzuar 5 herë më shumë për personat me aftësi të kufizuar në krahasim me vitin 2005. 

“Në vitin 2005 buxheti për personat me aftësi të kufizuar ishte 6,1 miliardë lekë, kurse buxheti aktual është 13 miliardë lekë,  pa llogaritur këtu fondin e rimbursimit të ilaçeve. 

Pagesa ka qenë 6 e 800 lekë në muaj, kurse sot është 12 mijë e 500 lekë. Pagesa për tetraplegjikët ka qënë 6 mijë e 800, sot është 9 mijë e 500 lekë. Paketa higjeno-sanitare që nuk i paguante asgjë më parë, ishte 0 për para dhe tetraplegjikët, ndërsa sot kur ndjekin shkolla marrin 160 mijë lekë, iu paguhet më shumë se një rrogë minimale e punonjësve. 

Berisha nënvizoi se tani ju rimbursohet energjia elektrike dhe telefonia fikse. “Në tërësi shuma që kjo qeveri ka vendosur ose shpenzon sot për një para ose tetraplegjik është 5 herë më e madhe se ajo e vitit 2005. Kujdestarëve të tyre sot iu paguhen pensionet, ndërsa në 2005 nuk iu njihej asnjë ditë pune. Është bërë maksimumi nga mundësitë që ka kjo qeveri. Këto përbëjnë një shumë afër rrogës mesatare të një punonjësi”, tha Berisha. 

Marrë nga Shekulli Online