LIBRAZHD, 13 prill 2013- “Më besoni, alternativa tjetër është alterativa e mashtrimit e mohimit, janë gënjeshtra. I them z Rama se gënjeshtra është dobësia më e madhe e një burri dhe gënjen vetëm burri që ka frikë nga vetja e tij. 2 janë, alternativat e tij, gënjeshtër dhe mohim, mohim, mohim dhe vetëm mohim”. 

Kështu u shpreh kryeministri Sali Berisha sot pasi mori pjesë në inaugurimin e rrugës Hotolisht – Frarë, në Librazhd një investim prej 146 milionë lekësh. 

Duke iu referuar liderit të PS-së, Edi Rama, Berisha tha se, “Gënjen vetëm burri që ka frikë nga vetja e tij. Dy janë alternativat e tij, gënjeshtër dhe mohim. Duke mohuar Shqipërinë reale ai shpall të gënjeshtër mundin, punën e të gjithë shqipëtarëve, shpall të gënjeshtër anëtarësimin e Shqipërisë në Nato, liberalizimin e vizave. Këto 8 vite Rama bëri vetëm një gjë, gjithçka për të bllokuar, por fatmirësisht Nato-n nuk e bllokove dot, nuk bllokove dot lëvizjen e lirë të shqiptarëve, ndonëse bëre gjithçka që t’u hiqje këtë mundësi shqiptarëve, bllokove ligjet me 3/5-at. Ia arrite, por dita e gjykimit po vjen shpejt. Me atë bllokim, ka bllokuar qindra mijëra euro investime për qytetarët. Mbështeje nga BE për ujësjellësa, shkolla, kopshte, vaditje. Bllokove vetëm për ligësinë e shpirtit tënd, sepse mendove se nëse merrej statusi Berisha do të merrte kredi të mëdha. Berisha dhe qeveria e tij bëri çdo gjë dhe statusi u rekomandua për Shqipërinë nga KE, me kushtin për të votuar këto 3 ligje. Me bllokimin e ligjeve ke bërë një akt të shëmtuar, ke shkelmuar çdo interes jetik të shqiptarëve. Janë me dhjetëra mijëra emigrantë shqiptarë që vetëm për shkak të mos marrjes së stautusit nuk u njihet pensioni në vendet ku punojnë. Po të merrej stautsi do t'u njihej pensioni dhe koha e penisionit siç u takon”. 

Kryeministri u shpreh se, "me rrugën e re, kjo zonë fiton një dalje të shpejtë, të pamundimshme në rrugën kombëtare dhe afrohet me Librazhdin, Elbasanin dhe Tiranën. Kjo rrugë i shtohet dhe 100 kilometra rrugëve të tjera që kemi ndërtuar dhe rindërtuar në këtë rreth. Për ne, që në ditën e parë të ardhjes në pushtet e deri sot, Shqipëria rurale e zhvilluar, fshati shqiptar i zhvilluar, përbën kushtin themelor për një Shqipëri të zhvilluar”. 

“Kemi investuar në Shqiëprinë rurale në shkolla, ujësjellësa, kanalizime. Sëbashku do të ndërtojmë dhe rindërtojmë çdo rrugë të komunës tuaj. Në këtë hark kohor nga 2007 deri sot, me skemën e granteve kemi financuar projektet e 42 mijë fermerëve. Zotohemi se gjatë 4 viteve që vijnë do të trefishojmë grantet për projektet tuaja. Në mënyrë që ju të prosperoni, të ndërtoni kopshtet, serat, bahçet tuaja dhe të ecim të sigurt drejt një mirëqenieje të mirë që të zhvilloni të gjitha potencialet turistike të zonave tuaj të mrekullueshme”, tha Berisha. 

“4 vitet që vijnë, vijoi kreu i qeverisë, do të formalizojmë infrastrukturën tuaj. Që çdo fshat të ketë infrastrukturën e lagjeve të qytetit. Kjo është arsyeja që gjatë këtyre viteve 60% të investimeve kanë shkuar për Shqipërinë rurale”. 

Rruga Hotolisht – Frarë 6.2 km e gjatë, lidh qëndrën e komunës Hotolisht me lagjet periferike dhe rrugën nacionale Prrenjas – Elbasan. Ajo është financuar nga Qeveria Shqiptare dhe Fondi i OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar (OFID). 

Rruga e vjetër ka qënë e shtruar me çakull. Prej më shumë se 15 vitesh në këtë segment rrugor nuk ishte kryer asnjë investim për të përmirësuar gjendjen e saj, duke u bërë pengesë serioze për transportin normal të njerëzve dhe mallrave. Rruga e vjetër ka qënë me një kalim dhe në pjesën më të madhe të saj ka qënë e dëmtuar dhe e pakalueshme për automjetet e vogla. 

Segmenti i ri rrugor Hotolisht – Frar ka një gjërësi asfalti prej 4 m, me bankina anësore në të dy krahët prej 0.5 m. Rruga e re është zgjeruar dhe pajisur me të gjithë elementët e nevojshëm të infrastrukturës përfshirë kanalizimet e ujrave të bardha, mure mbajtës, vepra arti, si dhe sinjalistikën e nevojshme vertikale dhe horizontale. Pjesë e këtij projekti është ndërtimi i trotuarit pranë shkollës së fshatit dhe urës së re me gjatësi 6 m. 
Me përfundimin e këtij segmenti rrugor, 1500 banorët e këtij fshati qarkullojnë në kushte normale transporti, duke lehtësuar lidhjen me shërbimet arsimore, shëndetësore, dhe tregjet.