ELBASAN, 15 shkurt 2013– Kryeministri Sali Berisha i shoqëruar nga ministri i Transporteve Sokol Olldashi dhe deputetët e qarkut të Elbasanit ka inspektuar punimet në tunelin e Krrabës, pjesë e autostradës Tiranë – Elbasan.
Duke vlerësuar këtë projekt dhe punën e bërë, z.Berisha tha se, ndërtimi i këtij tuneli është realizimi i ëndrrës shekullore të qytetarëve të Elbasanit, Tiranës dhe gjithë pjesës juglindore të vendit, të cilët përfitojnë nga ndërtimi i këtij tuneli në shkurtimin e distancës me kryeqytetin.
Kryeministri tha se Shqipëria në këtë mënyrë bëhet vendi i parë që ndërton segmentin më të vështirë në territorin e saj, të Korridorit 8.
Më pas ai ka inspektuar edhe njërën nga urat e segmentit rrugor Tiranë-Elbasan, urën më të gjatë të kësaj rruge, e cila është 1.8 kilometra e gjatë. “Kjo urë ndërtohet me një teknologji të veçantë të pa përdorur më parë në Shqipëri. Kjo urë është ura më e gjatë e kësaj autostrade të një rëndësie nevralgjike për zhvillimin e tregut, transportit, por edhe vendit në tërësi”, – u shpreh Kryeministri.
Gjithashtu kryeministri Berisha ftoi kryetarin e opozitës zotin Edi Rama, që të vijë në këtë vend dhe t’u kërkojë të falur qytetarëve të Elbasanit për bllokimin që i bëri në parlament ndërtimit të saj.
Rruga Tiranë-Elbasan, e cilësuar si segmenti më nevralgjik, i Korridorit 8, ka si pjesën më të rëndësishme të saj, Tunelin e Krrabës, punimet për të cilin shënuan vlerën e 101 milion dollarëve, investim i buxhetit të shtetit dhe Bankës Islamike për Zhvillim. 204 milionë dollarë është kosto e rrugës sëbashku me tunelin.
Tuneli i Krrabës, së bashku me akset rrugore para dhe pas tij, respektivisht me gjatësi 13 kilometra dhe 11.5 kilometra i japin jetë një rrugë të re, ndër më të rëndësishmet, në vend, e cila shkurton distancën mes Tiranës dhe Elbasanit në 29.7 kilometra, duke e përshkruar atë vetëm në 18 minuta.





