Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi më 4 korrik 2013 vendimin: “Instrumenti i përgjithshëm vendor komuna Ishëm, qarku Durrës”, ku vlera e përgjithshme e planit të investimeve kapitale është 50 milionë euro.
TIRANË, 5 korrik 2013 – Komuna e skajshme e Durrësit, Ishmit, në vitet e ardhshme do të përfitojë 50 milionë euro investime kapitale, u tha në mbledhjen e fundit të Këshillit Kombëtar të Territorit.
Më 4 korrik 2013, Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT), i mbledhur nën drejtimin e Kryeministrit në detyrë Sali Berisha, shqyrtoi dhe miratoi planin kombëtar sektorial për gazsjellësin TransAdriatik, lejet zhvillimore komplekse për ndërtimin e disa hidrocentraleve dhe disa plane të përgjithshme vendore.
Mes tyre ishte dhe miratimi i vendimit “Instrumenti i përgjithshëm vendor komuna Ishëm, qarku Durrës”, njoftoi sajti i Këshillit të Ministrave.
Komuna Ishëm, me 8622 banorë dhe vijë bregdetare 22 kilometra, shtrihet në pjesën veriore të qarkut Durrës, shkruan qeveria.
Vlera e përgjithshme e planit të investimeve kapitale është 50 milionë euro.
Në hartimin e tij është pasur mbajtur promovimi i zonës së Ishmit si një destinacion turistik të një cilësie të lartë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, përmes shfrytëzimit të përshtatshëm të tokës, të karakterit të peizazhit dhe pasurive natyrore të kësaj zone, duke orientuar zhvillimin e aktivitetit ekonomik të zonës me qëllim krijimin e kushteve për një turizëm modern që ofron shërbime cilësore, për vizitorë vendas e të huaj, si dhe zhvillimin multisektorial i Ishmit, ku kryeson zhvillimi i turizmit, i mirënjohur në bregdetin Adriatik si destinacion turistik në të gjitha sezonet.
Plani i ri ruan traditën e ndërtimeve ekzistuese në zonën urbane, ndërsa në zonën turistike shfrytëzohen kreshtat dhe ndërtimet parashikohen 2-3 kate, me intensitet të vogël të shfrytëzimit të truallit të ndërtimit, thotë KKT-ja.
“Një nga komunat më të bukura, të cilën e vizitoi edhe Maksimiliani I dhe që udhëtimin e tij aventuror në Kepin e Rodonit dhe komunën e Ishmit përshkroi në një libër shumë interesant, i përkthyer edhe në shqip. Do të bëhej më vonë perandori i Meksikës, ku edhe do të vritej atje”, – u shpreh Kryeministri pas prezantimit të planit, duke nënvizuar se kjo është një nga zonat me potencial shumë të madh, një kompleks natyror jashtëzakonisht mahnitës.
Info/
Komuna Ishëm ndodhet në veri të qytetit të Durrësit, ku ndahet qartë (si territor) nga lumi Ishëm në veri dhe nga Përroi i Tarinit në jug; ka një sipërfaqe totale prej 8,000 ha duke u kufizuar në juglindje me komunën e Prezës së qarkut të Tiranës, në perëndim me detin Adriatik dhe në lindje me komunën Thumanë të nënqarkut të Krujës; komuna Ishëm përbëhet nga 10 fshatra: Kuraten (Shkafanë), Lalës, Likmetaj, Kërtushaj, Kapedanaj, Gjuricaj, Rrotull, Draç e Fushë-Draç, Shetaj dhe Bizë; kryetar i komunës është përfaqësuesi i PS-së Sulejman Ibrahimi.





