Gjatë fjalës së mbajtur në një tryezë të ngritur me ekspertë për krizën e sistemit energjitik shqiptar, ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se impiantet e prodhimit të Bitcoinit dhe serat e kanabisit janë dy nga faktorët kyç në konsumin e energjisë elektrike dhe tharjen e hidrocentraleve.
Berisha u shpreh se me autorizim të qeveritarëve të lartë në afërsi të hidrocentraleve janë ngritur në mënyrë të paligjshme impiante të prodhimit të kriptovalutave Bitcoin.
“Impiantete e Bitcoinit të vendosur në afërsi të hidrocentraleve janë kuçedrat e energjisë elektrike. Ata që janë kapur ishin miniaturë në lidhje me ata që janë në afërsi të hidrocentraleve. Ata janë kryekëput të lidhur me qeverinë. Askush tjketër nuk mund ta kthej Shqipërinë në një vend të prodhimit të Bitcoinit përveç qeveritarëve. Ti mund të bësh biznesh për prodhimin e Bitcoinit, por duhet ta bësh në mënyrë legale, të regjistrohesh dhe të paguash energji.
Ardian Çela deklaroi se digat i zbrazën kontenierët e Bitcoinit dhe serat e kanabisit. Harrojini ju se dikush ngre serë kanabisi pa garanci shtetërore. Janë dhe këta dy faktorë që grabisin energji pa fatura dhe që faturën e paguajnë më të varfërit e Shqipërisë. E paguajnë ata që s’kanë. Nuk jam kundër Bitcoinit, por duhet të jetë çdo gjë legale. Do të prodhosh shko dhe regjistrohu. Të gjitha fijet për Bitcoinin të çojnë në sferat më të larta të qeverisë. Nuk kam fakte konkrete dhe nuk mund të përmend emra”, tha Berisha.





