VLORË, 6 prill 2013- Kryeministri Berisha është takuar sot në Vlorë me fermerët e zonës, kryesisht ata që kultivojnë ullirin.

Duke u shprehur se projekti i ullirit është një ndër më projektet më madhore, kryeministri ftoi fermerët të paraqesin sugjerimet e tyre konkrete se si puna e tyre mund të lehtësohet. 

“Në Vlorë jemi në djepin e prodhimit të ullirit, qëllimi ynë është të shumëfishojmë rrënjët e ullit”, tha Berisha duke e cilësuar këtë një nga investimet më afatgjata. 

Kryeministri tha para fermerëve se projekt tjetër i qeverisë së tij është subvencionimi i mbrojtjes së ullirit. 

“Ne kemi financuar vetëm ullinj mbi 9 mijë hektarë, ne të vendosur të 3 fishojmë grantet për fermerët shqiptarë, cka do të thotë 3-fishim i granteve për ullirin. Ne Hoqëm cdo taksë e tatim që nevojitet për cdo makineri për prodhimet bujqësore. Do subvencionojmë mbrojtjen e ullirit dhe vjeljen e tij”, tha kryeministri. 

“Programi ynë duam që të jetë programi juaj, duam të mbështesim interesat tuaja më të mira”, tha Berisha. 

Gjatë bashkëbisedimit me fermerët, kryeministri ka sulmuar programin e Partisë Socialiste në lidhje me programin e bujqësisë. Sipas kryeministrit TVSH-ja për bujqësinë nuk mund të hiqet se prodhimet e fermerëve do kalbeshin në fushë 

"Duke hequr TVSH për prodhimet bujqësore, fermerëve ua kalb në fushë prodhimet. Natyrisht hapet cdo mundësi për konkurrim të egot e të pandershëm. Në Europë paguhet 3 euro subvencion për lopën, dhe i bie që fermeri atje ta shesë qumështin me cmim më të lirë duke ju konkurruar. Prandaj ne nuk e heqim TVSH se duhet t’i mbrojmë prodhimet tuaja. Ata propozojnë politika kokëposhtë”, tha Berisha.