TIRANË- Kuvendi mori sot në shqyrtim paketën fiskale për vitin 2013. Janë disa projektligje, që drejtojnë një mori çështjesh, duke nisur me tarifat doganore të importit të kafesë së papjekur, e cila përpunohet në vend, me vendosjen e një tarife të re për eksportin e lëndëve të drurit, aplikimin e nivelit të ri për gjobat në deklarimin e punonjësve, procedurat e reja të regjistrimit në QKR për përfaqësuesit tatimorë, çregjistrimin e biznesit, modeli i ri, si dhe heqja e TVSH-së për importin e makinerive dhe pajisjeve. 

Zëvendësministri i Financave, Alfred Rrushaj, gjatë prezantimit të kësaj pakete fiskale, u shpreh se këto ndryshime do të ndikojnë në lehtësimin e të bërit biznes për operatorët ekonomikë si dhe do të bëjnë të mundur uljen e evazionit fiskal. Por kjo është kundërshtuar nga deputetët e opozitës, sipas të cilëve këto ndryshime ligjore nuk u adresohen dhe nuk mbrojnë bizneset apo qytetarët, si dhe s’kanë efekt pozitiv në buxhetin e shtetit. 

Po ashtu, pritet të shqyrtohet rritja e popullsisë në Kukës. Partia Socialiste la dje të kuptohej se kërkesa e tyre për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për shtimin e popullsisë në Qarkun e Kukësit, pritet të rrëzohet sot nga mazhoranca në seancë plenare. Sekretari për çështjet zgjedhore i selisë rozë, Damian Gjiknuri tha se ky refuzim përbën dosjen e parë të manipulimit të zgjedhjeve. 

Pjesë e axhendës së sotme të Kuvendit vijojnë të jenë tre draftet, miratimi i të cilave kërkon shumicë të cilësuar: p/ligji "Për nëpunësin civil", ai "Për Gjykatën e Lartë", si dhe pr/vendimi për ndryshimet në rregulloren parlamentare.

BRACE: 100 DITËT E PARA TË QEVERISJES SË PS DO KUPTONI SE BERISHA JU KA RRJEPUR 

Deputeti socialist Erion Brace, akuzoi kryeministrin Berisha se merr për naftën në bujqësi 370 lekë, teksa theksoi se akciza për kafenë nuk ka lidhje me qytetarët. Brace tha se PS 100 ditet e para të qeverisjes do heqë akcizën e naftës për bujqësinë dhe taksën e qarkullimit. 

 “Ne do e heqim akcizën e naftës për bujqësinë, taksën e qarkullimit për makineritë tokësore, e kuptoni si ju vjedh taksë qarkullimi për traktorin që punon tokën, që në 100 ditët e para do e kuptoni si Berisha ju ka rrjepur nga mëngjesi deri në darkë, jepini fund tani që Berisha të mos u vjedhë më”, deklaroi Brace. 

YLLI: BERISHA FRIKACAK, DO E BËJMË MILIARDER DUKE E NXJERRË NË PENSION NË 2013 

Deputeti i PS-së Fidel Ylli i është përgjigjur akuzave të kryeministrit Berisha duke e etiketuar si frikacak që hedh shashka dhe ikën. Ylli duke kritikuar politikat fiskale të qeverisë, tha se Berisha gënjen shqiptarët për buxhetin dhe paketën fiskale duke paralajmëruar se në vititn 2013 opozita do e nxjerrë në pension. 

“Zoti kryeministër frikacak që hedh një shashkë dhe ikën. Ducja ka pasur një shprehje, më shani më shani po mos më harroni, unë do shqetësohesha nëse nuk do ma përmendni emrin, ju deklaroni se që në momentin që i kam hyrë politikës, nuk kam kompani bastesh dhe ndërtimi. Pasi i bëre të gjithë ushtarakët, arsimtarët dhe mjekët milionerë duke i shtuar pagat e dhe pensionet ne mendojmë të të bëjmë dhe ty milioner. Me 23 qershor do të bëjmë milioner duke të nxjerrë në pension” tha Ylli. 

Si replikë kryeparlamentarja Topalli i tha: “Me Ducen në kokë do vini në pushtet” 

RUCI: MIRATO PROPOZIMET E PS NËSE JE VËRTET PËR POLITIKA FISKALE 

Kreu i grupit parlamentar të PS, Gramoz Ruci reagoi ndaj deklaratës së kryeministrit Sali Berisha që akuzoi se PS duke mos votuar për buxhetin 2013, votoi kundër shqiptarëve. 
Sipas Rucit, PS kishte argumenta duke votuar kundër buxhetit. 
“E mëshiroj kryeministrin që erdhi foli dhe iku dhe në vend të fliste për paketën fiskale foli për opozitën, ndaj më lejoni që ti përgjigjem gjithë lumit që ai lëshoi ndaj opozitës, me qëllim 
për të mashtruar opinionin publik. Z kryeministër aty ku je, opozita nuk e votoi buxhetin jo për ato që tha kryeministrit se buxheti që paraqiti kjo qeveria nuk rimekëmb ekonominë, këtë nuk e thotë Edi Rama por FMN e BB. Ndaj përgjigju BB e FMN para se të përgjigjesh të anatemosh opozitën dhe mashtrosh shqiptarët. Së dyti se ky buxhet nuk ndihmon në kushtet e krizës ekonomike se të ardhurat nuk janë rritur. Këtë e thonë statistikat e tua, FMN e BB, por jo Edi Rama. 

Ky buxhet nuk zbut varfërinë, por e shton atë. Ky buxhet nuk e ul papunësinë, por të vërtettën ta thonë qytetarët që janë pa punë dhe statistikat e tua". 

Më tej Ruci bëri një pasqyrim të situatës me cmimet. 
“Ky buxhet nuk e rrit fuqinë blerëse, kur erdhe e gjete 500 lek bukën tani që po ikën po e le me 1 mijë lek, orizin e gjete me 800 lek e sot ti kryeministër në ikje, e le me 1 600 lekë. 
dhe Sheqerin me të njëjtat cmime. Se kur erdhe e u bërë kryeministër enegjinë, miellin, naftën, i gjete lirë, sot janë di fish dhe trefish shtrenjtë”. 

Ndaj sipas kreut të grupit parlamentar, kryeministrit duhet të marrë parasysh propozimet e PS për akcizën. 
Këto që na propozohen sot janë andrrime dhe 
nëse je vërtet për politika fiskale për rritje të prodhimit e punësimit mirato propozimet në këtë paketë fiskale sipas propozimeve që po bën PS”. 

STATUSI, BERISHA, MOS U MERRNI ME THASHETHEME, POR VOTONI LIGJET 

Shefi i qeverisë i ka bërë thirrje edhe një herë më shumë opozitës që të ngrihet mbi lartësinë si politikanë që të votojë ligjet e kërkuara nga BE. Kryeministri Berisha e cilësoi PS-në si parti ekstremiste, teksa nënvizoi do marrë ndëshkimin e saj për këtë veprim në qershor të vitit 2013. 

“Kjo është një opozitë që po shkon drejt një disfate të pashmangshme, Janë tre ligje të cilat prekin në disa mënyrë të ardhmen e shqiptarëve, prekin dinjitetin e shqiptarëve, prekin në disa mënyra kontot dhe mirëqënien e shqiptarëve dhe pret që KE të japë statusin. Ju bëj thirrje ngrihuni në lartësinë tuaj si politikanë. Votoni ligjet. U përpoqët që të mashtroni shqiptarët që nuk janë kushtet ndikues në marrjen e statusit. KE në tetor botoi raportin dhe dha mendimin pozitiv për Shqipërinë dhe e keni ngritur si mur bllokimi për ta shembur në qershorin që vjen, vijuat si ditën e ftesës në NATO”, deklaroi Berisha. 

“Ju përpiqeni të kapeni pas cdo fije bari për procesin e integrimit. Mblidhet këshilli i BE-së dhe ju bëni me dije deklaratën e një ambasadori që nuk shpreh mendimin e BE-së. Harruat se këtë bëtë dhe kur anëtarësua Shqipëria në NATO. Mos u bëni opozitë e thashethemeve, hiqni dorë nga darkat e gabuara ku flitet për Hoxhën, besoni në transparencën e BE. E tillë nuk ka qenë as partia e Sheshelit dhe as partitë ekstremiste të Ballkanit”, shtoi Berisha. 

BUXHETI, BERISHA: OPOZITA E SHEH SI TMERRIN E QERSHORIT 2013 

Kryeministri Berisha akuzoi opozitën se duke votuar kundër buxhetit, i hoqi të drejtën 800 mijë shqiptarëve për pasurim me qëllim dëmtin e qeverisë. Berisha paralajmëroi opozitën se disfata e tyre nuk do të vijë nga ajo cka ka bërë qeveria, por nga mashtrimet që cdo ditë PS i bën shqiptarëve. 

“Opozita i ka shndërruar seancat plenare në një show tragjik për veten e saj, sepse ajo ka parë te ky buxhet gjigant tmerrin e vërtetë të qershorit 2013. Sepse çdo mirësi të transkriptuar në forma të ndryshme, opozita e sheh në votë kundër saj, në mankthin e shterpësisë të alternativës ose alternativë të bazuar kryekëput mbi mashtrimin. Opozita dëshmon se ka interesa më të mëdha dhe kjo meriton të quhet akcizë-opozita. Kjo është e vetmja opozitë që propozon ndryshimin e akcizës, e cila ka në themel krijimin e vendeve të punës dhe luftën kundër kontrabandës”, tha Berisha. 

Sipas Kryeministrit, lufta kundër kontrabandës në disa segmente të veçantë, u intereson disa prej deputetëve të opozitës. 
“Kjo është opozita unike në botë që nuk votoi buxhetin, i cili më shumë se çdo buxhet tjetër shndërrohet në para, në kontot, xhepat dhe portofolet e 800 mijë familjeve shqiptare. Nuk votoi buxhetin që më shumë se çdo buxhet tjetër shndërrohet në rrugë, rrugica, spitale, shkolla”, iu drejtua deputetëve të opozitës, Kryeminsitri Berisha. 

“Nuk keni votuar buxhete që ngritën Shqipërinë në çatinë e botës për thithje të investimeve të huaja për frymë. Nuk keni votuar buxhete që bënë të mundur ndërtimin e mijëra kilometrave rrugë, buxhete që rritën rrogat dhe mundësuan ndërtimin e 1300 shkollave në mbarë vendin. Nuk keni votuar buxhete që bënë të mundur furnizmin me ujë të pijshëm 24 orë të 96% të shqiptarëve dhe që lehtësojnë barrën fiskale”, tha Berisha. 

“Nuk votuat buxhetet, sepse ato u bazuan në 9 miliardë dollarë më tepër në 6 vite, sesa të qeverisë tuaj. Nuk votuat buxhetin, sepse ato u shndërruan në shtyllë kryesore në betejën ndaj një krize që Shqipëria po bën si Davidi me Golian, dhe po fiton. Nuk votuat buxhetin se i jepte 50 milionë dollarë dhe sot kap 250 milionë dollarë rimbursim të sëmurve”, u shpreh kreu i qeverisë. 

AKCIZAT, BERISHA: ÇDO MIRËSI PËR QYTETARËT, PS E SHEH SI VOTË KUNDËR SAJ 

Kryeministri i vendit Sali Berisha duke iu përgjigjur opozitës theksoi se ndryshimet në akciza kanë dy synime kryesore rritjen e vendeve të punës dhe inkurajimin e luftës kundër kontrabandës. 

“Opozita sot dëshmon se ka interesa të mëdha dhe do të meritojë të quhet ‘akcizë opozita’. E vetmja opozitë që kundërshton ndryshmet në akciza që kanë dy synime. Krijimin e vendeve të punës në Shqipërië dhe qëllimi i dytë luftën kundër kuntrabandës. Lufta kundër kontrabandës në disa sektorë privat intereson grupe miliardesrësh brenda opozitës. Kështu bëtë edhe me pr/ligjin për lojërat e fatit, për kryebixhozxhiun tuaj, Fidel Ylli”, tha Berisha. 

“Ju bëj thirrje votoni këto ligje se kanë pas krijimin e dhjetra vende pune. Do hiqet TVSH për të gjitha kategoritë e bizneseve. Vijoni mashtrimet ndaj njëri-tjetrit, dëgjoni si mashtroni njëri- tjetrin”, shtoi Berisha. 

BODE: PS NUK E KA KUPTUAR POLITIKËN E AKCIZËS, JA TJUA ADRESOJ ME SHIFRA 

Pas Kodhelit ka reaguar ministri i Financave, Bode, duke thënë se opozita nuk ka kuptuar asgjë nga ajo që është shkruar në ligjin për taksat doganore dhe atë për akcizat. 

Ai ka sqaruar me shembuj se cfarë ka ndodhur në industrinë e kafesë. “Kafja e pjekur taksë 10%, cmim importi për kilogramë me 2 euro, taksë doganore 24 lekë për kg. Deri para futjes së këtij ligji kafja e papjekur paguante në doganë, 54 lekë, e pjekura 140 lekë. Cfarë e bëri të domosdoshme ndryshimin skemës? Me ndryshimin e ligjit të akcizave tregtuesit e përpunuesit e kafes janë të detyruar të pajisen me magazinë akzice, që mundëson mospagimin në doganë të vlerës së akzicës dhe taksave të tjera sa kohë mallrat janë në regjim akcize, në momentin kur importuesit nxjerrin nga magazina e akcizës duhet të paguajnë akzicën për kafe të pjekur dhe cmimet për tregtimin e saj duhet të jenë referuese me çmimin e tregut, kjo vendos nën kontroll të rreptë fiskal qarkullimi e produktit të kafes në tregun e brendshëm. Pavarësisht se kafja në doganë hyn e papjekur, trajtohet si e pjekur dhe paguan në momentin e hedhur në treg 140 lekë”- tha Bode. 

Sipas tij, skema e industrisë së kafesë është me përfitime në buxhetin, jo vetëm se do kemi rritje të të ardhurave nga çmimi, por se industria vendoset e gjitha në taksim të njëjtë, malli do ndiqet deri te konsumatori në skemë të plotë. Kjo pjesë e tregut të ketë një ndjekje rigoroze brenda vendit. 

AKCIZAT, KODHELI: GJOBAT SHTOHEN KLINETELIZMI QEVERITAR RRITET 

Deputetetja e PS-së Mimi Kodheli gjatë diskutimit të pr/ligjit për akcizat akuzoi qeverinë për klientelizëm më gjobat e përfituara nga të ardhurat nga tatimet jo buxhetore. Kodheli theksoi se paketa fiskale nuk i adresohet qytetarëve, teksa shprehu shqetësimin për rritjen e cmimit të naftës dhe TVSH-së. 

“Paketat fiskale kanë qenë një grup ligjesh që nuk i adresohen qytetarëve. Ato i adresohen miqve, atyre që lobojnë apo që paguajnë. Kjo nuk është paketë fiskale pasi ka efekte minimale në buxhet dhe kontradiktore dhe klienteliste në biznes.Të ardhuart nga akcizat në vitin 2012 kanë rënë. Të ardhurat nga akcizat në raport me PPB kanë rënë. Të ardhurat tatimore kanë rënë me 6.1% dhe të ardhurat jo tatimore (gjobat) do kenë rritje 12.7 %. Ndërkohë që gjobat shtohen klientelizmi qeveritar rritet. Sot një litër naftë është 180 lekë. TVSH sot është 30 lekë për litër”, – tha Kodheli. 

Deputetja socialiste sulmoi qeverinë edhe për rritjen e pensioneve duke theksuar se kjo shtresë do e presë fundvitin më të varfër se vitet e tjera, ndërkohë që kërkoi heqjen e TVSH-së për importin e makinerive dhe pajisjeve.