TIRANË, 26 maj 2013– Kryeministri Berisha i kërkon Kuvendit të Shqipërisë të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme më 30 maj, për miratimin e tri ligjeve dhe amnistisë fiskale.
Zyra e shtypit e Kryeministrisë bën të ditur se “kryeministri Berisha ka ushtruar kompetencën e tij kushtetuese duke i kërkuar, me anë të një shkrese, Kuvendit të Shqipërisë të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme më 30 maj 2013, për të votuar tri ligjet e kërkuara nga BE-ja për dhënien e statusit të vendit kandidat si dhe ligjit te amnistisë fiskale”, transmeton BW.
Në letrën drejtuar kryetares së Kuvendit, kryeministri kërkon mbledhjen e Kuvendit për miratimin e pr/ligjit për nëpunësin civil, pr/ligjit për disa ndryshime në organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë, pr/vendimin për shtesa dhe ndryshime në rregulloren e Kuvendit, si dhe pr/ligji për dhënien e amnistisë fiskale.
Sipas kryeministrit Berisha, miratimi i këtyre ligjeve do të shërbejë si mundësi për marrjen e statusit kandidat, por gjithashtu do t’i kursejë vendit përafësisht 6 milionë euro, që do të shpenzoheshin për organizimin e referendumit për zgjidhjen e këtij ngërçi.
“Me këtë kërkesë, Kryeministri Berisha kërkon t'i japë opozitës edhe një mundësi tjetër para zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit, që t'i bashkohet vullnetit të palëkundur të mazhorancës qeverisëse për miratimin e tyre dhe zhbllokimin e rrugës së integrimit europian të vendit.”- përfundon njoftimi i kryeministrisë.





