Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një takimi me banorët dhe anëtarët e degës nr. 2 në Tiranë, ka vijuar akuzat ndaj qeverisë, duke e cilësuar atë si të zhytur në korrupsion.
Në fjalën e tij, Berisha u ndal te çështja e tenderave, duke përmendur projektin e djegësit të Tiranës, për të cilin tha se janë shpenzuar 130 milionë euro pa asnjë rezultat. Ai akuzoi qeverinë se ka ndarë projektin e Unazës së Tiranës në 14 kontrata për të fshehur abuzimet me fondet publike.
Duke kërkuar votën për zgjedhjet e 11 majit, Berisha premtoi luftë kundër korrupsionit dhe rikthimin e fondeve të vjedhura tek qytetarët përmes rritjes së pagave, pensioneve dhe investimeve në shërbime.
“Pas 12 vitesh, Edi Rama kërkon një mandat tjetër për t’u pasuruar më shumë vetë dhe për të varfëruar shqiptarët. 11 maji është dita e shpëtimit,” u shpreh Berisha. Ai gjithashtu premtoi se pasuritë e përfituara përmes korrupsionit do të gjenden dhe do të përdoren për politika sociale në dobi të qytetarëve.