Ish-kryeministri Sali Berisha në mbledhjen me deputetët demokratë deklaroi se kjo që ndodh me Akademinë e Shkencave është identike si ngjarje me atë që ndodhi në lokalin e Borizanës, ku familjarët e deputetit të dorëhequr të Partisë Socialiste Rrahman Rraja dhunuan barbarisht kushërinjtë Maja që ishin ankuar për shpërthimet që bëheshin në guroren e Rrajave.

“Parlamentarizmi është shndërruar nga një proces themelor demokratik, në një farsë të turpshme në të cilën nuk respektohen as norma, as parime, as ligje dhe as Kushtetutë. Kjo që ndodh me Akademinë e Shkencave është identike si ngjarje me atë që ndodhi në lokalin e Borizanës.

Atje mafia i vuri minat në guroren e vet edhe fshatit, dhe pastaj rrëmbeu shkopinjtë e bejsbollit për të terrorizuar banorët që u prishën shtëpitë. Këtu mafia me kollare i është vërsulur Akademisë së Shkencave për shkak të marrëveshjes Rama-Doshi dhe po e përdhos atë institucion në mënyrën më mafioze.

Do u rikujtoj këtu, para disa vitesh Edi Rama në parlament, i xhelozuar me titujt e mi, më kërcënoi, më tha se ato do ketë një ligj që do i heqë. E vetmja gjë për të cilën kam qenë dakord, ka qenë kjo. Shumë normale, një njeri që ka braktisur profesionin e vet, që del në pension nga profesioni i vet, ai nuk mund të zërë vendin e një profesori aktiv në hierarkinë akademike, por ai kalon një ish-profesor apo profesor i nderuar dhe hapet rruga, hapen vendet, hapet hapësira për ata që nga mëngjesi deri në darkë merren me shkencë, merren me studime dhe i avancojnë ato.

Skënder Gjinushin në krye të akademisë e vendosi Tom Doshi, të cilin pasi i bleu partinë, bëri marrëveshje për ta kthyer në drejtim policesk të një institucioni që kërkon ta riformatojë në mënyrë identike me atë që ishte Enver Hoxha dikur. Të gjithë kanë ndjekur polemikën dhe zërin e profesor Artan Fugës, e cila në fakt nuk kishte asgjë personale për filozofin dhe sociologun e njohur Fuga, por gjithçka ishte për mbrojtjen e dinjitetit dhe parimeve të akademizmit në Shqipëri.

Natyrisht Artan Fuga i bënte nder, ai është një profesor në universitetet e Shqipërisë dhe Francës, është një njeri me publikime që nderon veten dhe vendin, është një avokat nga më të përkushtuarit sot i interesit publik. Dhe kur e sheh atë që me një përkushtim të madh, mbrojti të vërtetat dhe sheh këta mafiozë të paskrupullt se si sikur të ishin në shpella, gjejnë çdo mënyrë manovrimi për të ruajtur marrëveshjen Rama-Doshi me Gjinushin në krye të akademisë, nuk ka gjë më të turpshme.

Çdo akademi ka një moshë pensionimi, tani fshihet Gjinushi pas Ismail Kadaresë. Ka gjë më të turpshme? Po nëse është problemi për Ismail Kadarenë, le të votojmë për akademik të përjetshëm dhe nuk ka deputet që nuk e voton këtë. Ismail Kadaresë t’i jepet titulli i akademikut të përjetshëm se e meriton plotësisht. Por të rrisësh moshën e pensionit të Skënder Gjinushit, duke përdorur atë si argument, kjo është fyerje. 

Nëse e ke këtë problem, me ligj e sanksionojmë. Me ligj e sanksionojmë Ferit Muratin nëse pranon, novelist në fushën e studimeve farmakologjike. Por mund të kemi të tjerë shqiptarë. Këta janë tamam si ata të shpellës së Rrajave. Të paturp. Ata deputetë që i ndjekin janë skllevër, por dikton Rama-Doshi. Pra, në pamje të parë kemi të bëjmë me një kapje të tmerrshme dhe është modeli më i shëmtuar i kapjes”, theksoi Berisha.