TIRANE – Gjatë fjalës së tij në mbledhjen se Kryesisë së Partisë Demokratike, kryeministri Berisha i kushtoi vëmendje zgjedhjeve të 23 qershorit, duke shprehur bindjen se procesi elektoral do të jetë i lirë dhe i ndershëm. Kreu i PD-së deklaroi se qëllimi i kësaj mbledhjeje është hapja e përpjekjes së anëtarëve, simpatizantë dhe drejtuesve të fushatës elektorale për mandatin e tretë të demokratëve. Ndërsa akuzoi opozitën për bllokimin e punës së KQZ-së, Berisha theksoi se pavarësisht përpjekjeve për bllokim zgjedhjet do të përgatiten me seriozitetin më të madh.
“Ne shkojmë të sigurt drejt një procesi zgjedhor të lirë dhe të ndershëm. Disa shenja paraprake nuk janë kaq premtuese përsa i përket kundërshtarit. Ka një panik që shprehet nga kthimi i filxhanit çdo mëngjes te kafja e Shefikatit, deri tek bllokimi i KQZ-së. Pavarësisht nga emotiviteti, nga raporti përmbysës i adrenalinës tek kundërshtari ynë, zgjedhjet do jetë një proces i lirë dhe i ndershëm.” – u shpreh Berisha.
Ndërsa vlerësoi koalicionin qeverisës, si më të fuqishmin në historinë e vendit, kryeministri Berisha ironizoi ftesën e kryetarit të PS-së për bashkim me LSI-në e FRD-në. Veç aleatëve tradicionalë të PD-së, Berisha tha se po zhvillohen negociata me parti të tjera në vend, të spektrit të djathtë e të majtë.
Sipas kryeministrit, nuk ekziston mundësia e një koalicioni mes PS-së e LSI-së, ndërsa aludoi se Fryma e Re Demokratike është aleati i vetëm që u ka mbetur socialistëve.
“Ne shkojmë drejt zgjedhjeve si koalicioni më i fuqishëm në historinë e vendit. Ne zgjedhjet e 2009-ës PD dhe aleatët e saj dolën koalicioni i parë. Krijoi një koalicion me LSI dhe unë mendoj se ky koalicion ka funksionuar në përputhje të plotë me zotimet dhe angazhimet përpara qytetarëve shqiptarë. Ky koalicion bëri të mundur një seri reformash të thella, të cilat mbrojtën ekonominë shqiptare nga recesioni. Rama i bën thirrje këtij sot këtij dhe atij, aman bashkohemi se mund të fitojmë. Sot i bën thirrje dhe duket i vetmi aleat që i ka mbetur me çfarë shoh unë është Bamir Topi. Ajo fjala që i tha mos u hiq si i virgjër, nuk do të thotë se kanë fjetur bashkë, do të thotë se kanë rënë në një çanak. Por le t’i lemë në virgjinitetin dhe çvirgjinitetin e tyre dhe ecim pas çdo vote në çdo skaj të këtij vendi.”- u shpreh Berisha.
BERISHA: SLOGANI I FUSHATËS SË PD “NE JEMI NDRYSHIMI, PËRPARA”
Gjatë mbledhjes së kryesisë kryeministri Berisha shpalosi edhe sloganin që do udhëheqë të djathtët në fushatën e zgjedhjeve 2013. Duke deklaruar se projekti i ardhshëm i PD-së është “Shqipëria vend i zhvilluar”, Berisha nënvizoi se kjo do arrihet nën moton “Ne jemi ndryshimi, përpara”.
”Nën këtë moto, shqiptarët do bashkohen njësoj si në vitin 1992. Vizionin e tyre nuk ka mur që e bllokon, nuk e pengon asgjë. Me këtë moto do hapim fushatën elektorale, fushatën e fitores së shkëlqyer”, tha Berisha.
BASHKIMI KOMBËTAR, PD E PALËKUNDUR NË IDEALIN E SAJ
Kryeministri Berisha ka deklaruar ndër të tjera se çështja kombëtare qendron si yll polar edhe në fushatën e PD-së, ndërsa kërkoi që cdo shqiptar të besojë tek “bashkimi” pas besimit tek Zoti.
“Ideali i bashkimit kombëtar nuk ka qënë kurrë ndonjëherë më i fortë se ai që u krijua në këtë 100 vjetor. Procesi i bashkimit të shqiptarëve është jetik për paqen dhe stabilitetin e rajonit dhe për të ardhmen e kombit shqiptar. Prandaj le të bashkohemi në me njëri-tjetrin, të bashkohemi me Europën. Askush të mos shqetësojhet nga ky proces”, tha Berisha, ndërsa ftoi cdo shqiptar që pas besimit tek zoti të rendisë besimin tek çështja e bashkimit, e cila mund të realizohet vetëm duke besuar fort, sic tha ai.
“Ndaj edhe PD që shpalli si yll polar cështjen kombëtare, dhe në këtë fushatë vjen e palëkundur nga besimi tek ky ideal, kryesori në ndërtimin e së ardhmes së kombit shqiptar”, shtoi ai.
Bashkimi kombëtar, nënvizoi Berisha cliron fqinjët nga albanofobia e akumuluar në shekuj.
“Shqiptarët nuk janë të prirur të pranojnë qendrime albanofobie. Askush nuk mund të ketë komplekse ndaj flamurit të tyre, ndaj dëshirës së tyre për bashkim, ndaj edhe ky 100 vjetor ishte frymëzim i madh për shqiptarët në të gjitha trojet për të shikuar përpara të vendosur, drejt idealit të bashkimit kombëtar, të bashkimit me Evropën. Ky proces bazohet në një përpjekje mbarëkombëtare, PD është e vendosur që shqiptarët të ndjehen nje në kombin e tyre”, shtoi Berisha.
Prioritare për mazhorancën sic tha Berisha, krahas çështjes së bashkimit kombëtar mbeten edhe punësimi, investimi, arsimi, sistemi shëndetësor, shërbimet, furnizimi me ujë, Shqipërtia superfuqi energjetike, Shqipëria superfuqi e softit.
NDËRTOJMË HEKURUDHËN E KOMBIT
Për të forëcuar idenë e bashkimit, kryeministri Berisha tha se ai do bëjë gjithcka që së shpejti të nisë ndërtimi i “hekurudhës së kombit”.
“Do ndërtojmë hekurudhën e kombit. Aq sa c’dukej e pamundur rruga e kombit, kaq e pamundur duket hekurudha sot, por këtë do ta shohim kur të ndërtohet”, nënvizoi Berisha.