TIRANË, 9 prill 2013 – “Koncensionet janë leva e Arkimedit. Dhënia e veprave me koncesion janë zhvillim i qëndrueshëm në vend. Këto vepra të gjitha kthehen në pasuri publike pas afatit të koncesionit”. Kështu u shpreh kryeministri Sali Berisha në konferencën me temë “Statkraft në Shqipëri dhe projekti i hidrocentralit të Devollit”. 

Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se në 4 vitet që vijojnë shqiptarët do të njohin ndërtime të veprave madhore. 

“Kemi firmosur për ndërtimin e 360 HEC-eve, 300 prej tyre janë në përfundim të ndërtimeve. 4 vitet që vijnë Shqipëria do të njohë punimet civile me të mëdha, ndërtime të veprave më të mëdha ndoshta se çdo vend tjetër”.

“Koncesionet janë levë e Arkimedit për të shndërruar në vlera pasuritë ujore dhe ato të vendit. Shekuj e shekuj ujrat e Devollit janë derdhur në det, të fjetura dhe të pavlera. Kjo është përpjekja jonë e madhe në fushën e energjitikës që ka synim zhvillimin e qëndrueshëm në Shqipëri. Këto vepra të gjitha kthehen në pasuri publike pas afatit të koncesionit”. 

Më tej Berisha vuri theksin dhe tek investimet duke garantuar se qeveria do krijojë një klimë pozitive për bizneset e huaja. Sipas kryeministrit, një ndër hapat e parë për krijimin e një klime pozitive, ka qenë ulja e taksave.