TIRANË – Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka kërkuar angazhimin maksimal të drejtuesve të PD-së për të arritur një fitore të shkëlqyer, siç e cilësoi ai, në zgjedhjet e 23 qershorit. Në një takim me të gjithë kryetarët e degëve të Partisë Demokratike dhe ato të Grup Seksioneve, kreu i PD-së theksoi se data 23 Qershori duhet të jetë një 22 mars i vërtetë.

“Me projektet e suksesshme të ndryshimit të Shqipërisë, me misionin e forcës politike që u themelua 22 vjet më parë këto data të duken binjake në aspirata dhe arritje. Ndaj dhe duhet të bëjmë gjithçka që në 23 qershor të realizojmë fitoren që presin shqiptarët, fitoren e shkëlqyer të Partisë Demokratike si një forcë politike që në këto 22 vjet ka pasur dhe shënuar sukseset më të mëdha, transformimet më të thella, arritjet më historike se çdo forcë tjetër politike e themeluar pas rënies së perdes së hekurt në Evropën post-komuniste”,- tha Berisha.

Gjatë takimit kreu i PD-së nuk la pa sulmuar edhe liderin e PS-së Edi Rama që sipas tij po mbledh rreth vetes ato persona të cilët ai i cilësoi si fundërrina.

“S`ka më të zhgënjyer sesa ata që votuan katër vjet më parë Partinë Socialiste sepse pas 22 vitesh pluralizëm e shohin atë sërish bllokuese, e shohin atë në rolin e muratorit fatkeq që lartëson murin e bllokimit, në kundërshtim flagrant të aspiratave të mbarë shqiptarëve dhe aspiratave të elektoratit të PS-së.  Ai ka moton “fundërrinat e të gjitha llojeve të bashkohen kundër Sali Berishës”. Le të bashkohen të gjitha fundërrinat por fundërrinat përveç Lanës vend tjetër s`mund të kenë. Sesi mund të dilet me moton fundërrina bashkohuni të mundim Berishën, kjo është dëshmia e dështimit total. Kjo është thirrja e njeriut që ka humbur çdo shpresë, është i mbuluar dhe kërkon të mbulojë disfatat e njëpasnjëshme. Ne do të mbetmi qytetar të vlerave dhe kjo është motoja jonë  sepse ne jemi parti e vlerave. I pasigurt totalisht për ditën që agon, i bindur për disfatën që e pret kreu i PS-së kërkon të bashkojë rreth vetes edhe ato që më vjen zor t’i them me fjalë”,- shtoi më tej Berisha.