Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është kthyer nga samiti i PPE, ku sipas tij PD ka marrë mbështetje të plotë. Në një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale, kryedemokrati u bëri thirrje qytetarëve shqiptarë që t’i bashkohen protestës së ditës së nesërme, në një “kryengritje më të fuqishme paqësore”.
“Ajo që mund t’u them qytetarëve është se njohuritë janë të plota për rrëshqitjen e Shqipërisë në një narkoshtet apo një narkodiktaturë dhe Edi Rama sot është një diktator në rreth të kuq, pa të ardhme në Shqipëri dhe në Evropë”, tha Berisha.
Sipas tij, mbështetja për opozitën dhe përpjekjet e saj është e plotë nga PPE, nga liderët e këtyre partive, nga partitë e mëdha, CDU dhe partitë e tjera të qendrës së djathtë në Evropë.
“Diskutuam gjerësisht mbi bashkëpunimin me këto parti, si dhe i njoha me vendosmërinë tonë, rezistencën tonë, kryengritjen tonë paqësore për të përmbysur këtë regjim të paligjshëm, zhvillimet dramatike të javëve të fundit, në të cilat Edi Rama mori përsipër të gjithë fajësinë, siç e ka, duke bllokuar sistemin e drejtësisë në mënyrë përfundimtare, paketën ligjore që po përgatit si mburojë për vjedhjet e tij dhe të qeveritarëve”.
Berisha falënderoi të gjithë miqtë që takoi atje për mbështetjen që sipas tij treguan për PD-në.
“Pra, mund të themi se demokracia shqiptare sot ka miq dhe mbështetës të mëdhenj dhe të vërtetë, opozita shqiptare ka miq të mëdhenj dhe të vërtetë, të cilët e mbështesin PD-në”, shtoi Berisha.
Sipas tij, tashmë ylli i Ramës është një figurë e nxirë.
“Rastisi, por ishte koincidencë, por gjatë kohës që ne ishim në Bruksel, Mali i Zi u votua për të mbyllur kapitujt e rëndësishëm, kurse Shqipëria mbeti në klasë dhe nuk i mbylli dot. Dhe i garantoj shqiptarët se me Edi Ramën nuk ka asnjë progres drejt BE, përkundrazi ka kthim mbrapa gjithnjë e më të madh”, tha Berisha.
“Ftoj shqiptarët të bashkohemi nesër në ora 6 në rrugët dhe sheshet e Tiranës për të treguar forcën tonë, shpirtin tonë të pamposhtur me kryengritjen më të madhe paqësore që ka njohur Tirana”, tha ndër të tjera kreu i PD.





