15 nentor 2013- Përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, ish kryeministri Sali Berisha ka komentuar për eksplozivin e vendosur dy ditë më parë në makinën e prefektit të Vlorës Besnik Dervishit. Berisha akuzon kryeministrin Rama për vënien e tritolit në makinë.  

“Të dashur miq, pardje në mëngjes mediat u informuan se një telefonatë anonime kishte njoftuar se në kryeministri ishte vendosur një bomb dhe se një makinë, që nuk dihej se e kujt ishte, kishte arritur të parkojë në një zonë të ndaluar. Mediat paraqitën live makinën e parkuar në zonën ku për arsye sigurie lejohen të parkojnë vetëm makinat e ministrave dhe ajo e sugarit, më saktë manarit të kryeministrit, Fuga.Pas tre orësh show mediatik doli se makina ishte veturë personale dhe jo ajo shtetërore e prefektit të Vlorës Besnik Dervishi dhe se nën të ndenjurat e prefektit ishin vendosur 250 gr eksploziv C 4, nga ai që qeveria përdor këto kohë për të hedhur në erë ndërtesat. Të nesërmen u harrua fare dhe telefonata anonime dhe zyrtarisht u tha se ishte Dervishi vet që kishte njoftuar Gardën për eksplozivin nën të ndenjurat e tij, por nuk kishte thënë nëse e kishte vendosur në Vlore apo Tiranë. Mediat botuan informacionin se futjen e makinës në zonën e ndaluar e kishte bërë duke e ngarë vet atë, jo Besnik trimoshi, por drejtori i antikorrupsionit në kryeministri, z. Hoxha.   Pra të dashur miq faktohet në mënyrë të padiskutueshme se kapsollën prefektit ja kishte vënë mbrapa vet Edi Rama. Por Dervishit i ra bingo! Një makinë e re personale nga qeveria që i dëmtoi makinën në skenarin qesharak në oborrin e saj”, shkruan Berisha në Facebook.